Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se vizita e homologut të saj nga Mali i Zi, Milo Gjukanoviq, po ndodh në një moment të rëndësishëm për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor.
“Presidenti Gjukanoviq përveç se është dëshmuar si një aleat i rëndësishëm i Republikës së Kosovës është gjithashtu një mik i përkushtuar i popullit tonë për çka dua ta falënderoj sërish edhe sot. Populli i Kosovës e vlerëson shumë kontributin e tij të rëndësishëm në njohjen e Republikës sonë dhe përkushtimin e dëshmuar për të punuar së bashku për t’i luftuar ndikimet keqdashëse dhe të dëmshme në rajonin tonë nga aktorë të tjerë”.
“Kjo vizitë e presidentit Gjukaonoviq pëveç se është historike në aspektin e raporteve tona bilaterale po ndodh në një moment të rëndësishëm për kontinentin tonë, e rrjedhimisht edhe për Ballkanin Perëndimor. Si dy shtete demokratike dhe liridashëse është thelbësore që të qëndrojmë krahë për krahë përballë agresionit rus, si dhe tendencave destabilizuese të satelitëve të Rusisë në rajonin tonë”.
Osmani ka thënë se me homologun malazez kanë diskutuar për përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon si dhe për të ardhmen në strukturat euro-atlantike.
Osmani tha se nga Gjukanoviq ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
“Sot natyrisht kam kërkuar edhe mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe po ashtu edhe në organizata të tjera dhe me rëndësi të veçantë , sidomos në situatën aktuale të sigurisë në Evropë, është NATO-ja dhe në veçanti për Kosovën Partneriteti për Paqe si hapi i parë drejt anëtarësimit në NATO”.
“Mali i Zi është një shembull i shkëlqyer se si anëtarësimi në NATO ka shërbyer vetëm drejt forcimit të sigurisë në tërë rajonin tonë, prandaj edhe anëtarësimi i Kosovës do të duhej të shihej nga prizmi i njëjtë – i kontributit për më shumë stabilitet dhe siguri në tërë rajonin”.