image Osmani bisedon me presidenten e Parlamentit Evropian: Jemi populli më pro-evropian, liberalizimi i vizave duhet të ndodh

Politikë

Osmani bisedon me presidenten e Parlamentit Evropian: Jemi populli më pro-evropian, liberalizimi i vizave duhet të ndodh

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar sot në mënyrë virtuale me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Osmani ka thënë se janë pajtuar që liberalizimi i vizave për Kosovën është i domosdoshëm, raporton Gazeta Sinjali.

Ndërsa përmes një komunikate për medie, Presidenca e Kosovës njofton se Osmani i ka thënë Metsolas se populli i Kosovës është populli më pro-evropian në botë dhe meriton të drejtën për të udhëtuar lirshëm.

Osmani ka thënë se e ardhmja e vetme e Kosovës është në familjen evropiane.

“Vlerat evropiane janë të mishëruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe përparimi i vazhdueshëm i vendit tonë në indekset e ndryshme të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit janë dëshmi që e ardhmja jonë e vetme është në familjen evropiane. Ne jemi të përkushtuar që të forcojmë marrëdhënien tonë për një rrugëtim të drejtë e të barabartë drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar Osmani, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Ndërkohë presidentja e vendit ka folur po ashtu edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ndërsa ka thënë se Kosova është mjaft konstruktive në këtë proces.

E presidentja e PE-së, Metsola ka riktheksuar kërkesën e vazhdueshme të institucionit që ajo drejton, që është përshpejtimi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Në këtë bashkëbisedim, Presidentja Osmani e informoi Presidenten Metsola për synimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përpjekjet institucionale për rimëkëmbje nga pandemia dhe rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Ndërkaq Presidentja Matsola e falënderoi Presidenten Osmani për bashkërendimin e Kosovës me partnerët perëndimorë për luftën në Ukrainë dhe ritheksoi kërkesën e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për përshpejtim të liberalizimit të vizave”, thuhet nga Presidenca.

/GazetaSinjali/