Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shfrytëzuar një intervistë me gazetën austriake Profil për t’u ankuar te partnerët ndërkombëtarë se po i bëhet “shumë pak presion” Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë.
Osmani është shprehur e ashpër ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi, të cilin e ka cilësuar si “zëvendësin më të madh të Putinit” në Evropë.
Ajo ka thënë se Vuçiqit i pëlqen të jetë “mbreti i dramave”.
“Përkundrazi. Shumë pak presion po i bëhet Vuçiqit. Atij i pëlqen të jetë ‘mbreti i dramave’ dhe ta teprojë. Realiteti është se ka një qetësim të madh ndaj tij nga Perëndimi. Dhe kjo përkundër faktit se Vuçiq nuk është aspak properëndimor. E kam fjalën për një Vuçiq, vendi i të cilit është i vetmi në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Një Vuçiç që hap ‘qendra humanitare’ në Serbi, të cilat i shërbejnë de fakto spiunazhit rus”, ka thënë Osmani.
“Ne po flasim për një Vuçiq që bën marrëveshje me Gazpromin rus derisa Evropa përpiqet të largohet nga gazi dhe nafta ruse. Po flasim për një Vuçiq që e bëri Serbinë një strehë të sigurt për kriminelët rusë dhe kompanitë në listat e sanksioneve të BE-së. Po flasim për një Vuçiq që është bërë zëvendësi më i madh i Putinit në Evropë”, tha presidentja Osmani. “Udhëtoni nëpër rajonin e Ballkanit dhe pyesni nëse dikush ka frikë se mos sulmohet nga Kosova, Mali i Zi, Shqipëria apo Maqedonia e Veriut. Askush nuk ka frikë nga ne. Por të gjithë kanë frikë nga destabilizimi i Serbisë. Vuçiq ka merituar prej kohësh të sanksionohet nga BE-ja, për shembull me ngrirjen e bisedimeve për pranim në BE”.
Osmani ka deklaruar se nuk ka shpresa për një marrëveshje Kosovë-Serbi.
“Nuk kam shumë shpresa te Vuçiqi. Nuk po them se nuk do të nënshkruajë asgjë. Ai ka nënshkruar shumë marrëveshje, duke përfshirë tri të tilla që kur u bëra Presidente në vitin 2021. Njëra kishte të bënte me targat e automjeteve të komunitetit serb në veri. Një për njohjen e letërnjoftimeve kosovare në pikat kufitare me Serbinë dhe një për një marrëveshje energjetike. Vuçiqi nuk ka zbatuar asnjë nga këto marrëveshje. Gjithmonë duhet të negociosh dy herë me Serbinë: së pari duhet t’i bindësh të nënshkruajnë, dhe më pas duhet të zbatosh atë që kanë nënshkruar. Kjo e fundit është më e vështirë se e para”, ka deklaruar Osmani.