Sipas raportit të OSBE-së për vlerësimin e kthimit vullnetar në Kosovë edhe 20 vjet që nga përfundimi i luftës, për një numër të madh të personave të zhvendosur qofshin brenda apo jashtë Kosovës nuk ka zgjidhje të qëndrueshme që do t’u mundësonin atyre jetë stabile dhe të dinjitetshme.
Në bazë të këtij raporti që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë dhe trazirat e vitit 2004, përafërsisht 220 mijë persona janë larguar nga Kosova, ndërkaq vetëm 28 mijë prej tyre janë rikthyer deri në dhjetor të vitit 2018.
Megjithatë shifrat e kthimit kanë pësuar rënie çdo vit, ku në vitin 2015 janë kthyer 802 persona, në vitin 2016 gjithsej 582 persona janë kthyer për të jetuar në Kosovë, në vitin 2017 janë kthyer 498, kurse në vitin 2018 janë kthyer 327 persona.
Raporti i vlerësimit të procesit të kthimit vullnetar në Kosovë tregon se shumica e personave të kthyer gjatë kësaj periudhe janë 1009 serbë, 417 egjiptianë, 357 romë dhe ashkali.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu deklaroi se e drejta për t’u kthyer qytetarët në shtëpitë e tyre është e garantuar me Kushtetutë dhe ligjet e Kosovë, andaj edhe duhet të zbatohet.
Braathu tha se raporti përfshin një sërë rekomandimesh për nivelin qendror dhe komunat që janë pikat e para të kontaktimit të atyre që vendosin të kthehen në Kosovë.
Ai si sukses e konsideroi miratimin e rregullores për kthim të personave të zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme e cila u miratua në vitin 2018.
Sipas tij çështja pronësore vlerësohet të jetë pengesa kryesore për kthimin e të zhvendosurve në Kosovë.