Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po e kritikojnë Qeverinë Kurti lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.
Ndërsa të nevojshëm po e shohin që kryeministri Albin Kurti të kërkojë nga presidenti i ShBA-së, Joe Biden një emisar special për këtë proces.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se janë në terr informativ sa i përket transparencës së Kurtit në dialog.
Ajo shton se kryeministri Kurti nuk është duke mbrojtur asnjë vlerë të re të cilën nuk e kanë bërë kryeministrat e tjerë.
“Ne si deputetë të opozitës jemi në terr informativ sa i përket qasjes së Kurtit në dialog, ne nuk e kemi asnjë raportim të tij para se të shkojë në Bruksel. Ne e dimë që edhe Bislimi ka pasur takime dhe ne si komision nuk kemi asnjë informacion dhe nuk e dimë cilat janë parimet dhe është kthyer në një betejë të brendshme politike në vend që të ishte si pikë kur të gjithë të jemi bashkë.”
“Kurti nuk është duke mbrojtur asnjë vlerë të re të cilën nuk e kanë bërë kryeministrat e mëhershëm. Të gjithë kanë qenë të një qëndrimi që duhet të mbrohet sovraniteti, si dhe të drejtat e Kosovës si shtet, po ashtu edhe për të pagjeturit edhe tema të tjera që ai veç i ngrit. Nuk kemi asgjë të re, përveç që ai është ulë në tavolinë duke i thyer të gjitha premtimet që i ka dhënë elektoratit”.
Mes tjerash, ajo thotë se Kurti nuk e ka të qartë se për çfarë është duke dialoguar, e që sipas saj, duhet të ketë një marrëveshje brenda për brenda subjekteve politike në mënyrë që të ketë sukses në dialog.
“Vet fakti që Kurti merr pjesë në takime nuk do të thoja që është stagnim, është përpjekje që të vazhdohet dialogu. Mrëpo, Kurti duhet të ketë një marrëveshje brenda për brenda subjekteve politike dhe qëndrimeve politike në mënyrë që të shkojë dhe të del i suksesshëm në Bruksel”.
“Negociatat kur ulesh në tavolinë, duhet ta dish se për çfarë po negocion sepse je në mes të dy palëve dhe nuk mundesh vetëm atë që ti e mendon që është e drejtë të ecësh përpara, aty është edhe BE-ja do të duhej të ishte edhe ShBA-ja që është kërkuar në vazhdimësi dhe ai duhet të dijë qartë se për çfarë qëndron në këtë proces”.
E zgjatjen e dialogut, Musliu-Shoshi po e sheh vetëm në favor të Serbisë, por që thotë se procesi i dialogut është duke ndikuar edhe në mosliberalizimin e vizave për Kosovën.
“Zgjatja e këtij procesi që të mos kemi një marrëveshje finale i konvenon vetëm Serbisë dhe ata këtë punë janë duke e bërë sepse i kanë zgjedhjet vitin e ardhshme dhe ne do të duhej si tërësi, e Kurti në veçanti, që këtë proces të ec më së miri”.
“Mendoj që kjo është një arsye që Kosova është duke stagnuar në proceset ndërkombëtare dhe nuk mendoj që kjo do të duhej të ishte e lidhur me liberalizimin e vizave, pasi që ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet politike e teknike dhe tani që qeveria duhet ta ketë një qasje me shtetet anëtare të BE-së, të cilat nuk e njohin Kosovën, por edhe ato që janë njohëse, por që nuk janë në favor që Kosova të ketë liberalizim dhe duhet të ketë një strategji të veçantë”.
Kurse, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, thotë se kryeministri, Albin Kurti, po mendon se në Bruksel është para simpatizuesve të VV-së dhe se mund të bëjë popullzim.
“Zotëri Kurti po mendon që në Bruksel është para simpatizuesve të VV-së dhe që mundet me bë popullzim, ai përfaqëson Kosovën. Ne ende nuk kemi një platformë për bisedime e cila na qartëson se çka duhet të diskutohet dhe çka jo dhe nuk kemi parime për dialog, duke ditur që Kurti po shkon në bisedime pas një maratonë pushimesh në Greqi dhe në Francë, pa një përgatitje dhe një konsultim dhe nuk është e çuditshme edhe sjellja e tij”.
Ajo thotë se ka një mospërgatitje për këtë temë, pasi që po shkon për të dialoguar me Serbinë pas pushimeve në Greqi e Francë.
“Ne kemi një dialog pa platformë dhe parime që është për të ardhur keq dhe ju e dini që për një raundi të bisedimeve ai e ka obligim ligjor që të vijë dhe të raportoëj në Kuvendin e Kosovës dhe tash është raundi i dytë i bisedimeve dhe nuk ka ardhur”, tha ajo për EO.
Tutje ajo ka treguar edhe qëndrimet që kanë si subjekt edhe karshi asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne si Aleancë i kemi parimet për dialog dhe kërkojmë që Asociacion të mos ketë me kompetenca ekzekutive, por Asociacioni ndoshta të miratohet por sipas verdikti që ka dhënë Gjykata Kushtetuese”.
“Marrëveshja dhe procesi i dialogimit duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe në këtë periudhë, ne po kërkojmë që ai me kërkuar nga presidenti Biden një emisar special që do të merret me procesin e dialogut”./Gazeta Sinjali/