Sasia e derivateve të naftës, që mund të blihet në tregun e Kosovës, është e kufizuar në disa të pika të shitjes, thonë pronarë të kompanive dhe anëtarë të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës. Disa furnizues veçse kanë ndërprerë shitjen e derivateve për Kosovën.
Kjo po ndodh në mesin e një krize të furnizimit me këtë produkt në Evropë, që ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të tij.
Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
Nafta e papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, më 8 mars shkoi në nën 130 dollarë për fuçi.
Në Kosovë, më 8 mars, një litër naftë është shitur për 1.68 euro, ndërkaq benzina deri në 1.67 euro, varësisht nga operatori ekonomik dhe lokacioni.
Pavarësisht çmimit, operatorët e karburanteve po kanë probleme që ta sigurojnë këtë produkt.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi më 8 mars se nga lufta në Ukrainë, Shqipëria është prekur drejtpërdrejtë sikurse edhe vendet e tjera, “ndaj nevojiten përgatitje edhe për shkurtime të thella të furnizimit me energji ose naftë”.
Berjani: Naftë nuk ka sipas dëshirës
Qytetarët e Kosovës gjatë 24 orëve shpenzojnë nga 2.5 deri në 3 milionë litra derivate, thotë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
Sasia më e madhe e karburanteve në Kosovë, sipas tij, vjen nga Shqipëria, pasuar nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Berjani shpreh shqetësimin se në një të ardhme të afërt, në treg do ketë sasi edhe më të vogla të derivateve të naftës.
Sasia më e madhe këtij produkti në Kosovë, thotë ai, vjen nga Shqipëria, konkretisht nga kompanitë “Kastrati Group” dhe “Gega Oil Group”.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar në Kosovë janë importuar mbi 410 milionë litra dizel. Në këtë shifër nuk janë përfshirë derivatet e benzinës, raporton REL.
Ndërkohë, gjiganti i energjisë “Shell” njoftoi se do t’i ndalojë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia dhe se do t’i mbyllë operacionet e tjera në këtë vend.
Me këtë veprim, “Shell” u bashkohet dhjetëra kompanive të tjera, që kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, Qeveria e Kosovës më 1 mars ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.
Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.