Që nga përhapja e pandemisë COVID-19, janë shfaqur disa variante në gjithë botën. Megjithëse, ende nuk dihet shumë, varianti i ri Omicron po përhapet në një masë më të madhe duke prekur grupmoshat e mesme 40 vjeç, ka thënë infektologu Shemsedin Dreshaj.
Sipas, Dreshajt edhe përkundër kësaj ministria e Shëndetësisë duhet të marrë masa në raport me kufizimin e lëvizjes, por jo ta mbyllë vendin.
“Ministria duhet të këshillohet me trupin këshilldhënës të cilin e ka brenda dhe bazuar në rekomandimet e tyre duhet të respektohen në atë mënyrë që të jemi të përgatitur në rast se vie dhe përhapet në vend. Hapat e ardhshëm që duhet të merren janë më tepër në raport kufizimin e lëvizjes e jo me mbylljen”.
Ai për EO ka thënë se shëndetësia nuk po merret si prioritet nga institucionet në Kosovë dhe se nuk ka kapacitete të reja në QKUK e spitalet rajonale, lidhur me koronavirusin.
Edhe sipas kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, duhet të ketë masa rigoroze, por jo mbyllje. Mes tjerash, ai për EO theksoi të nevojshme dozën e tretë të vaksinës.
“Unë jam kundër mbylljes. Jemi vendi ndër të paktë që nuk i kemi lënë pacientët të trajtohen rrugëve apo me vdek rrugëve”.
Tashmë i paraqitur edhe në Evropë, Omicron ka alarmuar botën dhe shtetet kanë marrë masa shtrënguese për ta parandaluar përhapjen.