image Olsian Çela zgjidhet kryeprokuror i ri i Shqipërisë

Rajon

Kuvendi/ Olsian Çela zgjidhet kryeprokuror i ri i Shqipërisë

news image

Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi me 101 vota Olsian Çelën për mandatin 7-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që Arta Marku mori 11 vota pro dhe Fatjona Memçaj u votua nga 8 deputetë.

Olsian Çela u zgjodh Prokurori i ri i Përgjithshëm për shtatë vitet e ardhshme, pasi u votua me 101 vota pro të enjten nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Çela mori 2 vota kundër dhe dhjetë deputetë të tjerë e abstenuan.

Arta Marku, e cila mbajti për dy vjet postin e kryeprokurorit mori 11 vota pro, ndërkohë që  kandidatja e tretë në garë, Fatjona Memçaj u votua nga 8 deputetë të Kuvendit.

Olsian Çela ngjitet në krye të Prokurorisë së Përgjithshme pas një karriere 17 vjeçare si prokuror dhe drejtues i Krimeve të Rënda. Ai ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002 dhe e ushtroi fillimisht funksionin në Prokurorinë e Tiranës.

Në vitin 2004, Çela u emërua prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, institucion të cilin e drejtoi përgjatë viteve 2008-2012. Gjatë karrierës së tij, Çela ka qenë gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i bordit drejtues të Shkollës së Magjistraturës dhe përfaqësues në Këshillin Konsultativ të Prokurorëve Europianë.

Çela hyri nga pozitat e sfidantit në garën për mandatin 7-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm.

Vetëm pak muaj para garës, ai u transferua në prokurorinë e Beratit dhe u bë subjekt i një procedimi disiplinor të inicuar nga kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku. Masat e marra nga Marku u rrëzuan në gjykatë dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa Olsian Çela u rikthye te Krimet e Rënda për të synuar postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Pas një procesi të gjatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Olsian Çela kryesoi listën duke u vlerësuar me 459 pikë, i pasuar nga Arta Marku me 406 dhe prokurorja Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Prokurori i ri i Përgjithshëm do të ketë kompetenca të kufizuara në kuadër të ndryshimeve ligjore që pasuan reformën në drejtësi. Megjithatë, në intervistën përballë KLP-së Çela premtoi një ndryshim rrënjësor të rolit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Çela foli për nevojën për të përmirësuar imazhin e prokurorisë dhe e vuri theksin në barazinë para ligjit dhe atë që ai e quajti një sistem që mund të mbronte qytetarët nga “dhuna e shtetit, edhe brenda kornizave ligjore”. /Gazeta Sinjali/