Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHCR), më 12 maj, miratoi me shumicë votash një rezolutë për të jetësuar një hetim mbi akuzat për abuzime nga trupat ruse në zonat e Ukrainës që rusët i kishin përkohësisht nën kontroll.
33 shtete votuan pro hetimit ndërsa vetëm dy kundërshtuan – Kina dhe Eritrea.
Dymbëdhjetë vende abstenuan nga votimi.
Rezoluta e UNHCR-së përmend raste të dukshme të torturës, të të shtënave dhe dhunës seksuale, së bashku me mizoritë e tjera të dokumentuara nga një ekip i OKB-së në terren.
Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, e cila kryeson këshillin, tha më herët se mijëra kufoma janë gjetur në rajonin e Kievit pas tërheqjes së forcave ruse në ato që mund të jenë dëshmi e krimeve të luftës.
Ajo tha përmes videolidhjes se autoritetet po punonin për të verifikuar shkeljet, raporton REL.
“Shkalla e vrasjeve të paligjshme, duke përfshirë indikacionet e ekzekutimeve në zonat në veri të Kievit, është tronditëse”, tha Bachelet.
UNHCR-ja më 12 maj dënoi mizoritë e dokumentuara nga ekspertët në territoret e pushtuara nga Rusia dhe kërkoi qasje për punëtorët humanitarë tek njerëzit që janë marrë nga Ukraina në Rusi që nga fillimi i pushtimit.
Ajo përmendi akuzat se shumë prej tyre janë detyruar të shkojnë në Rusi.