Gazeta Sinjali dy ditë më parë ka raportuar për një përleshje mes zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe personelit të restorantit “Extra Fish” në lagjen “Pejton”, në Prishtinë.
Arsyeja e përleshjes dyshohet se ishte rezistimi që punonjësit e restorantit në fjalë kishin bërë në momentin kur inspektorët kishin shkuar për të shqiptuar gjobë për shkelje të masave anti-COVID.
Gazeta Sinjali raportoi po ashtu se pronarët e restorantit dje kanë parashtruar ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës kundër zyrtarëve policorë për “përdorim të forcës joproporcionale” dhe se IPK tanimë veçse ka nisur hetimet për këtë rast.
Lidhur me këtë rast sot ka reaguar Oda e Hotelerisë së Kosovës, e cila u ka dërguar një letër të hapur kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetit dhe kryeshefit të IPK-së, Kushtrim Hodajt.
ODTK vlerëson se kjo ndërhyrje ka qenë brutale dhe ka tejkaluar çdo kompetencë.
“Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës reagon ashpër për rastin e ndërhyrjes së pjesëtarëve të policisë, me datë 8.03.2021 në ora 22:02 minuta bashkë me pjesëtarë të tjerë nga Inspektorati në restaurant Extra Fish Prishtinë. Sipas informacioneve, pikërisht nga deklaratat e pronarëve kemi dëshmi reale që ndërhyrja ka qenë brutale dhe është kaluar çdo kompetencë”, thuhet në reagimin e kësaj ode.
Sipas kësaj ode, klientët e restorantit “Extra Fish” kanë qenë duke i kryer pagesa dhe duke e liruar lokalin, kur është bërë ndërhyrja ” e pazakontë dhe e paparë më herët, duke ushtruar dhunë brutale mbi stafin punues të këtij vendi”.
Nga OHTK thonë se zyrtarët policorë kanë ushtruar dhunë edhe më të madhe ndaj personelit të këtij restoranti kur të njëjtit i kanë dërguar në stacion policor.
“Njëherit, në bazë të informacioneve akterët pjesëmarrës e kanë ndërruar deklaratën para organeve kompetente pothuajse tre herë radhazi, ashtu siç iu ka përshtatur atyre”, thuhet tutje në reagim.
Përmes kësaj letre të hapur, Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës kërkon që:
“Sa më parë të ndërpriten këto dukuri kaq negative ndaj subjekteve hoteliere”;
“Gjatë inspektimit nga inspektoriati të mos ketë prezencë të policisë sepse po paraqesin shqetësim dhe imazh të keq para masës”;
“Mos të ketë ndërhyrje të tilla ndaj subjekteve hoteliere, sepse të njëjtat nuk janë subjekte kriminale, por janë afaristë dhe kontribues të ekonomisë së vendit”;
“Inspektoriati në përputhje me detyrat dhe në bazë të ligjit, ta përfundojnë punën e vet dhe mos t’i tejkalojnë kompetencat”;
“Të shqiptohen dënime ndaj akterëve të cilët kanë ushtruar dhunë, dhe kjo gjë të dëshmohet në mënyrë që të jenë shembull për të tjerët që mos të veprojnë në mënyrë të tillë”./Gazeta Sinjali/