image Oda e Avokatëve bojkoton bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, vendimi pritet të hyjë në fuqi së shpejti

Drejtësi

Oda e Avokatëve bojkoton bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, vendimi pritet të hyjë në fuqi së shpejti

news image

Si rezultat i trajtimit të padinjitetshëm të avokatëve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Këshilli drejtues i Odës së Avokatëve ka vendosur që për t’iu përgjigjur këtij trajtimi, meqenëse dialogu reciprok ka dështuar, të bojkotojë bashkëpunimin me këtë institucion, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se të gjithë avokatët që janë pjesë e këtij institucioni, nga data 08.02.2021, do të bojkotojnë punën në Prokurori për shkak të pakënaqësisë së vazhdueshme për kontrollet në hyrje, ndaljen e telefonave, kontrollit në skaner dhe pritjet në radhë me qytetarët, përkundër që avokatët gëzojnë status tjetër dhe janë në shërbim të institucioneve të drejtësisë si kategori kushtetuese.

Vendimi për bojkotim është marrë nga këshilli drejtues i Odës së Avokatëve dhe hyn në fuqi më datë 8 shkurt 2021.

Sinjali ka mësuar se me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të problemeve me të cilat ballafaqohen avokatët në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kryetari i Odës Behar Ejupi dhe nënkryetari Naim Rudari, kanë mbajtur disa takime me akterët e Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit, mirëpo përkundër premtimeve për një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme, Prokuroria Themelore në Prishtinë vazhdon ta nëpërkëmbë dinjitetin e avokatit duke e trajtuar si një qytetar të rëndomtë madje, në dyshim se mund të bëjë edhe veprime të kundërligjshme brenda në objekt.

Ky trajtim që vlerësohet i padinjitetshëm, duket se do të përballet me një bojkot deri në zgjidhjen e problemeve të avokatëve./GazetaSinjali/