image OBSH: Kina regjistron vdekjen e parë njerëzore në botë nga gripi i shpendëve H3N8

Botë

OBSH: Kina regjistron vdekjen e parë njerëzore në botë nga gripi i shpendëve H3N8

news image

Një grua kineze është bërë personi i parë që vdes nga një lloj gripi i shpendëve që është i rrallë tek njerëzit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë, por grip nuk duket se përhapet mes njerëzve.

“Gruaja 56-vjeçare nga provinca jugore e Guangdong ishte personi i tretë që dihet se ishte infektuar me nëntipin H3N8 të gripit të shpendëve”, tha OBSH në një deklaratë.

Të gjitha rastet kanë qenë në Kinë, me dy rastet e para të raportuara vitin e kaluar.

Qendra Provinciale Guangdong për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, raportoi infeksionin e tretë në fund të muajit të kaluar, por nuk dha detaje për vdekjen e gruas.

“Pacienti kishte kushte të shumta themelore dhe një histori ekspozimi ndaj shpendëve të gjallë”, tha OBSH.

Infeksionet sporadike te njerëzit me grip të shpendëve janë të zakonshme në Kinë, ku viruset e gripit të shpendëve qarkullojnë vazhdimisht në popullatat e mëdha të shpendëve dhe shpendëve të egër, sipas Reuters.

“Mostrat e mbledhura nga një treg i lagësht i vizituar nga gruaja, para se të sëmurej ishin pozitive për gripin A(H3), duke sugjeruar se ky mund të ketë qenë burimi i infeksionit”, deklaroi OBSH.

Megjithëse i rrallë te njerëzit, H3N8 është i zakonshëm te zogjtë, tek të cilët shkakton pak ose aspak shenja sëmundjeje. Ka infektuar edhe gjitarë të tjerë.

Nuk u gjetën raste të tjera midis kontakteve të ngushta të gruas së infektuar. Në bazë të informacionit të disponueshëm, duket se ky virus nuk ka aftësinë të përhapet lehtësisht nga personi në person dhe për këtë arsye rreziku i përhapjes së tij midis njerëzve në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar konsiderohet i ulët”, ka shtuar OBSH.

Monitorimi i të gjithë viruseve të gripit të shpendëve, konsiderohet i rëndësishëm duke pasur parasysh aftësinë e tyre për të evoluar dhe shkaktuar një pandemi.

/GazetaSinjali/