image OBSH-ja dhe UNICEF-i: Fëmijët nën këtë moshë s'kanë nevojë të mbajnë maska - Sinjali

OBSH-ja dhe UNICEF-i: Fëmijët nën këtë moshë s’kanë nevojë të mbajnë maska

news image

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF kanë bërë me dije se fëmijët nën 5 vjeç nuk kanë nevojë të mbajnë maskë për t’u mbrojtur nga COVID-19, ndërsa kanë theksuar se adoleshentët janë më të rrezikuarit nga virusi.

Fëmijët shumë të vegjël janë më pak të ndjeshëm ndaj virusit. Për këtë arsye janë më të pakta mundësitë e infektimit dhe më pas përhapjes te të tjerët, thanë dy agjencitë e Kombeve të Bashkuara në një deklaratë të përbashkët, transmeton Gazeta Sinjali.

“Sipas provave të kufizuara që kemi në dispozicion, fëmijët e vegjël mund të kenë ndjeshmëri më të ulët ndaj virusit krahasuar me të rriturit, megjithatë të dhënat në dispozicion sugjerojnë se kjo mund të ndryshojë nga mosha midis fëmijëve”, thuhet në deklaratën e OBSH-së dhe UNICEF-it.

Për këtë arsye, OBSH-ja ka lëshuar udhëzime të reja, të ndara sipas grupmoshave:

Fëmijët nën 5 vjeç

Nuk duhet të vendosin maska.

“Bazuar në mendimin e ekspertëve, të mbledhur përmes takimeve në internet dhe proceseve këshilluese, fëmijët e moshës deri në pesë vjet nuk duhet të mbajnë maska ​​për kontrollin e infektimit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Udhëzimi i ri nga OBSH-ja dhe UNICEF-i kundërshton udhëzimet e tanishme nga Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), që sugjeron se fëmijët nga dy vjeç e lartë duhet të mbajnë maskë.

Fëmijët nga 6 deri 11 vjeç

OBSH-ja thotë se duhet të aplikohet një qasje e bazuar në shkallën e rrezikut në të cilin ndodhen. Kjo mund të kalkulohet duke marrë parasysh intensitetin lokal të transmetimit, mjediset sociale dhe kulturore ku gjenden të miturit, aftësia e fëmijës për t’u pajtuar, disponueshmëria e mbikëqyrjes së duhur të të rriturve, ndikimi i mundshëm i maskave në mësim dhe zhvillimin psikosocial dhe konsiderata shtesë të tilla si aftësia e kufizuar ose sëmundjet themelore.

Fëmijët nga 12 vjeç e lart.

Trajtojini si të rriturit.

“Këshillohet përdorimi i maskave te fëmijët dhe adoleshentët nga 12 vjeç dhe lart. Për më shumë, ata duhet t’i ndjekin udhëzimet e OBSH-së për përdorimin e maskave te të rriturit dhe/ose udhëzimet kombëtare të maskave për të rriturit”, thanë agjencitë.

Udhëzimi thotë se asnjë fëmije nuk duhet t’i mohohet qasja për t’u arsimuar edhe nëse e ka të pamundur mbajtjen e një maske.

“Për fëmijët e çdo moshe me çrregullime të zhvillimit, paaftësi ose kushte të tjera të veçanta shëndetësore që mund të kenë probleme në mbajtjen e maskës, përdorimi i maskave nuk duhet të jetë i detyrueshëm dhe duhet të vlerësohet rast pas rasti nga edukatori i fëmijës dhe/ose ofruesi mjekësor i fëmijës”, shtuan OBSH-ja dhe UNICEF-i.

Mburojat e fytyrës janë një zëvendësim i mundshëm i maskave, shtuan ata, megjithëse thonë se nuk janë aq efektive sa maskat.

Dhe maskat nuk janë e vetmja masë që fëmijët duhet ta përfillin.

“Është e rëndësishme të theksohet se përdorimi i maskave është vetëm një mjet dhe se fëmijët gjithashtu duhet t’i përmbahen distancës fizike dhe higjienës së duarve”, thuhet në udhëzim. /Gazeta Sinjali


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: