Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) është duke vazhduar numërimin e votave për zgjedhjet e djeshme parlamentare në vend. Deri më tani janë numëruar mbi 98.08% të votave.
Deri në këtë moment, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë gjithsej 200.454 vota ose 25.54 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në këto zgjedhje garoi me Vjosa Osmani si kandidate për kryeministre, ka 195.096 vota ose 24.86 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës Kadri Veseli, mbrëmë tha se do të qëndrojnë në opozitë, ka grumbulluar 165.784 vota ose 21.13 për qind.
Në vendin e katërt renditet koalicioni i kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, AAK-PSD me 90.571 vota ose 11.54 për qind.
Lista Serbe, e mbështetur nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka 52.529 vota ose 6.69 për qind.
Koalicioni NISMA-AKR-PD duket se do të mbetet jashtë Kuvendit të Kosovës, pasi deri më tash nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor, duke fituar vetëm 38.398 vota ose 4.89 për qind. /Gazeta Sinjali/