Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia dhe ai i LDK-së, Përparim Rama, do të përballen në balotazh, në garën finale për ta marrë drejtimin e kryeqytetit.
LVV-ja doli e para nga votat e numëruara në kryeqytet, por jo mjaftueshëm sa për ta marrë drejtimin e Prishtinës me të parën.
Edhe me votat për Kuvendin Komunal, LVV-ja dhe LDK-ja janë partitë me më së shumti vota.
Nga numërimi i mbi 85% të votave për Kuvendin Komunal, LVV-ja prin me 34,22%, ndërsa LDK-ja radhitet e dyta me 26,57%.
Sipas rezultateve të deritashme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, PDK-ja ka marrë 18,40% të votave për asamblistë, ndërsa AAK-ja ka marrë 10,36%, duke e lënë pas AKR-në me 5,51%.
Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42,33% të votave në kryeqytet, pasuar nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili i ka marrë 29,35%.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka arritur t’i marrë 21,64% të votave, ndërsa Daut Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 4,50%.