Një institucion mikrofinanciar i cili gjendet në rrugën “Eqrem Çabej” ka qenë cak i hajnave dje në mesditë, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se punëtorja e këtij institucioni ka deklaruar se rreth orës 12:30 është futur një person i panjohur, i cili bartte maskë mbrojtëse dhe i ka kërkuar asaj që t’ia dorëzojë paratë.
Ajo ka thënë se i dyshuari nuk ka ekspozuar ndonjë armë apo mjet tjetër, por i ka thënë “Nuk do të ju lëndoj, vetëm i qitni paratë”.
Këto burime bëjnë të ditur se punëtorja nga frika ia ka dorëzuar të dyshuarit 200 euro.
Pasi që i ka marrë të hollat, i dyshuari, sipas saj, është larguar nga aty në këmbë.
Sinjali mëson se prokurori e ka cilësuar këtë rast si “grabitje” dhe ka urdhëruar nisjen e hetimeve për zbardhjen e këtij rasti./Gazeta Sinjali/