Kryeministri Rama paralajmëroi hapjen e një kanali të gjelbër për kompanitë e tre vendeve: Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë duke filluar nga janari.
Sipas tij, kur kompanitë e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi të shohin këtë lëvizje do të kërkojnë të bëhen pjesë e saj, përpara qeverive të tyre.
Rama shtoi përpara gazetarëve se është pjesë e “Ballkanit të hapur” për interesat e Shqipërisë.
“Ballkani i hapur është për 6 vende, jo për 3. Ai nuk merret dot peng nga asnjë vend. Pasi përcakton se kushdo që do të ecë më shpejt nuk do të presë sikur të jemi një karikaturë e BE-së. Kemi përcaktuar edhe njëherë për të gjithë atë që bëjnë sikur nuk duan ta kuptojnë se Ballkani i Hapur është gjithëpërfshirës, i hapur dhe i të gjithëve, por as Shqipëria as Serbia as RMV nuk do presin deri sa t’u mbushet mendja të tjerëve. I kam dëgjuar arsyet e vendeve të tjera, por janë arsye të mosarsyes. Unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë, të cilat drejtpërdrejt fuqizohen nga Ballkani i Hapur. Në dhjetor, kur të bëjmë samitin e radhës në Tiranë dhe kur të dorëzojmë sipërmarrësve çfarë kemi konkluduar si zbatim i procesit të Berlinit dhe kur t’i përfshimë kompanitë e këtyre vendeve në një kanal jeshil, mos u çudisni që kompanitë nga Mali i zi, Bosnja dhe Kosova të kërkojnë të përfshihen përpara qeverive të tyre. Mos u çudisni. Kjo nuk është një tekë apo halucinacion. Kjo është një kërkesë ulëritëse e ekonomive dhe njerëzve tanë”, deklaroi Rama.