Maskat mbrojtëse ndaj koronavirusit nuk janë të detyrueshme në të gjitha shtetet, por në Çeki rregullat janë të rrepta, madje edhe për… nudistët!
Aktualisht, Çekia ka filluar të zbusë masat, por në kulmin e pandemisë në këtë shtet, në fund të muajit të kaluar, Policia u thirr për të këshilluar disa persona, të cilët edhe pse ishin nudo në vende të lejuara publike, u urdhëruan të vendosnin maska.
Policia u njoftua nga qytetarët në qytetin e vogël Lázně Bohdaneč, në lindje të Pragës, se disa persona ishin duke marrë rreze dielli, por nuk kishin vendosur maskat.
“Fatkeqësisht, shumë qytetarë u mblodhën në grupe të mëdha për të marrë rreze dielli dhe nuk mbanin maska për fytyrën. Pas mbërritjes së Policisë, të gjithë zbatuan urdhrin se jashtë shtëpisë maska është e detyrueshme”.
“Qytetarëve u lejohet të qëndrojnë nudo për të marrë rreze në zona të caktuara, por ata janë të detyruar të vendosin maska”, u tha në një deklaratë të Policisë. /Gazeta Sinjali/