image NPL "Pastrimi" në Han të Elezit këmbëngul që u bazuan në ligj kur kërkuan kryeshef me shkollë të mesme

Skandaloze

NPL “Pastrimi” në Han të Elezit këmbëngul që u bazuan në ligj kur kërkuan kryeshef me shkollë të mesme

news image

Gazeta Sinjali ditë më parë raportoi për një skandal të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi” në Han të Elezit, e cila në konkursin për kryeshef ekzekutiv po kërkon vetëm diplomën e shkollës së mesme.

Megjithëse Ligji për Ndërmarrjet Publike parasheh kushte të tjera për emërimin e një zyrtari të tillë, kjo ndërmarrje insiston se janë bazuar në këtë ligj kur kanë përpiluar kriteret e konkursit.

“Ne jemi bazuar vetëm te Ligji”, thuhet në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje për Gazetën Sinjali, në pyetjen se pse nuk është përfillur ligji në formulimin e konkursit.

Në konkursin e shpallur nga kjo komunë, për të aplikuar për kryeshef kërkohet vetëm diploma e shkollës së mesme, ndërkaq përvoja e punës është “e preferueshme”.

Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili nuk është përfillur fare gjatë përpilimit të këtij konkursi, një person ka të drejtë të shërbejë në këtë pozitë vetëm nëse i plotëson të gjitha kushtet, ndër të tjera, për pavarësi dhe përshtatshmëri profesionale.

Në nenin 17 të këtij ligji, përcaktohet që kandidati të ketë “së paku 5 vjet përvojë pune në nivelin e lartë të menaxhmentit në fushën e administrimit të biznesit, financave koorporative, financa, menaxhim i thesarit, banka, konsulencë në biznes, industri ose nga një fushë tjetër e shkencës e cila ka të bëjë me veprimtarinë afariste të NP-së për së paku 5 vjet, të ketë qenë kontabilist publik, jurist i kualifikuar, ose anëtarë i kualifikuar i një profesioni tjetër i cili ndërlidhet ngushtë me veprimtarinë afariste të NP-së”.

Konkursi për kryeshef ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, u shpall më 31 janar, pesë ditë pasi që Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje në mënyrë unanime votoi për shkarkimin e Irfan Sumës nga kjo pozitë.

Suma u shkarkua me arsyetimin se pas ardhjes së qeverisë së re në këtë komunë, “është vërejtur edhe mosfunksionimi dhe moskoordinimi i strukturës udhëheqëse të NPL ‘Pastrimi’”./GazetaSinjali/