image “Njësia e Specializuar po e bastiste shtëpinë” – Policia e Kosovës jep detaje për aksionin ku vdiq polici

Kosovë

“Njësia e Specializuar po e bastiste shtëpinë” – Policia e Kosovës jep detaje për aksionin ku vdiq polici

news image

Policia e Kosovës ka konfirmuar se shpërthimi në një shtëpi në fshatin Zhur të Prizrenit, e që doli të jetë fatale për një polic, ka ndodhur gjatë kohës kur aty po kryhej bastisja në një rast për parandalim dhe zbulim të narkotikëve.

Në një deklaratë për “TV Prizrenin”, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, ka thënë se akoma s’dihen detajet e mjetit eksplodues.

“Ka qenë Njësiti i Specializuar i njësisë anti-drogë gjatë realizimit të një bastisjeje në një shtëpi në fshatin Zhur, për fat të keq gjatë bastisjes ka pas një eksplodim. Për momentin nuk dihen detajet e mjetit eksplodues. Për fat të keq, ka humbur jetën një koleg i yni, një polic profesionist dhe dy të tjerë janë lënduar. Me këtë rast, një fëmijë i familjes ku është kryer bastisja ka pësuar lëndime të lehta. Të lënduarit aktualisht janë në Spitalin e Prizrenit”, ka thënë ai teksa ka shtuar se sipas informatave aktuale, gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Afrim Avdaj, ka konfirmuar rastin për Gazetën Sinjali.

Ai ka thënë se njëri prej policëve është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në QKUK, ndërsa polici tjetër dhe fëmija janë jashtë rrezikut për jetë aktualisht.

“Më ka lajmëruar komandanti i Policisë se ka ndodhur një shpërthim në Zhur diku dhe në spital pritet të vijnë disa të lënduar. Në spital kanë ardhur tre persona, dy policë dhe një fëmijë. Njëri prej policëve i lënduar rëndë dhe është dërguar për në QKUK pasi ka marrë ndihmën mjekësore në Prizren”.

“Polici tjetër është duke marrë tretman mjekësor nga plagët e eksplozivit, ndërsa është sjellë në spital edhe një fëmijë i moshës rreth 9-vjeçe është pranuar në repartin e syve. Edhe fëmija edhe polici janë jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar ai për Gazetën Sinjali.