Njëri nga njerëzit më të besueshëm të liderit të grupit terrorist ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi, ka pranuar se terroristët e ISIS-it kanë “varrosur” në shkretëtirën e Irakut rreth 25 milionë dollarë, por më vonë ato ishin gjetur nga barinjtë.
Mohammed Ali Sajet që ishte i afërt me Baghdadin dhe anëtar i ISIS-it që nga viti 2015, u arrestua nga zyrtarët irakianë dy muaj më parë në afërsi të qytetit të Bagdadit.
Ai u ka treguar vendndodhjen e Baghdadit në Siri duke u dhënë detaje për liderin e ISIS-it që këto ditë pushtoi ballinat e gazetave botërore, pasi u kap nga njësitet elitare të SHBA-ve, ku pasi e kuptoi se nuk ka nga t’ia mbath hodhi veten në erë në një bunker nëntokësor.
Gjatë një interviste dhënë Al Arabiya, Sajet që është në paraburgim në Irak tha se liderët e ISIS-it përfshirë këtu edhe veten, dikur “varrosnin” dollarë, ari dhe argjend nëpër shkretëtirë. Ai pretendon se 25 milionë dollarë ishin humbur në shkretëtirën al-Anbar por më vonë ishin gjetur nga barinjtë.
Ndërkaq i pyetur për vendin ku ishte fshehur Baghdadi, Sajet e ka përshkruar bunkerin nëntokësor si një hapësirë e mbushur me libra për fenë.
“Ishte një tunel nëntokësor 8 metra i gjatë dhe i gjerë afro 5 ose 6 metra. Brenda kishte një bibliotekë kryesisht me libra për fenë”, ka shtuar Sajet.