A.K. 25 vjeç dhe D.S. 30 vjeç (emra të njohur për redaksinë) bashkë me 4 persona të tjerë u arrestuan sonte në Pejë nën dyshimin për shkelje të dispozitave shëndetësore, raporton Gazeta Sinjali.
Por, arrestimi i këtyre të dyve ishte më pak i zakonshëm.
A.K. u shtri për tokë dhe u arrestua nën dyshimin se kundërshtoi dënimin e policisë për shkak të mungesës së maskës, ndërsa D.S. u arrestua sepse dyshohet se incizoi këtë arrestim.
Arrestimin e tyre për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar nga Policia rajonale e Pejës.
“Në qendër të qytetit, Policia e Kosovës duke e vëzhguar situatën i ka kërkuar zbatimin e masave, pra mbajtjen e maskave, kanë kundërshtuar dhe janë arrestuar 6 qytetarë. Tash janë duke u intervistuar në stacionin policor. Ata i kanë penguar zyrtarët policorë dhe policia janë detyruar t’i shoqërojnë për në stacionin policor”, thanë nga policia. /Gazeta Sinjali/