image Një muaj paraburgim për shtetasin serb që u arrestua në Gazimestan

Drejtësi

Një muaj paraburgim për shtetasin serb që u arrestua në Gazimestan

news image

Nikolla Nedelkoviqit nga Beogradi, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës më 28 qershor, në Gazimestan afër Prishtinës, për “nxitje të urrejtjes kombëtare dhe fetare”, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ka konfirmuar për REL avokatja Jovana Fillipoviq.

Më 28 qershor, disa qindra serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit u mblodhën në Gazimestan për të shënuar Ditën e Shën Vidit (Vidovdan).

Po atë ditë Policia e Kosovës ua ka ndaluar hyrjen në territorin e Kosovës dhjetë shtetasve të Malit të Zi, për shkak se pranë tyre janë gjetur rroba me mbishkrime që “nxisin urrejtje”.

Po ashtu, disa persona që morën pjesë në shënimin e Ditës së Shën Vidit në Gazimestan, përveç flamujve serbë, bartnin edhe flamuj rusë, si dhe bluza me shenjën Z, që është simbol i pushtimit rus ndaj Ukrainës. Por, Policia e Kosovës i ka konfiskuar veshjet me mbishkrimet e tilla.

Çdo vit, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, festojnë më 28 qershor Ditën e Shën Vidit në Gazimestan, si përkujtim të, siç thuhet, vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane në Kosovë, në vitin 1389.

Pikërisht në Gazimestan, më 28 qershor 1989, ish-presidenti i Serbisë, e më pas i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq mbajti një fjalim para dhjetëra mijëra serbëve, në të cilin ai nuk përjashtoi “betejat e armatosura”.

Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si një paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

Në të njëjtën datë në vitin 2001, Millosheviqi u ekstradua në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, e cila e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006 para vendimit përfundimtar të kësaj gjykate.

/GazetaSinjali/