image Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që sulmoi gruan e tij në Prizren - Sinjali

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që sulmoi gruan e tij në Prizren

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë, ndaj të pandehurit Sh.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulmi“, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo masë do të llogaritet prej kohës së arrestimit të të pandehurit, 31.5.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 30.6.2021.

Me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Sh.K, gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase.

Po ashtu, nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar që, mbrëmjen e 31 majit, i pandehuri Sh.K., sulmon fizikisht të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, në shtëpinë e tyre.

Sipas gjykatës, deri te sulmi kishte ardhur për shkak të disa mosmarrëveshjeve që çifti kishte lidhur me vajzën e tyre.

Pasi që ishin fjalosur mes vete, e më pas, i pandehuri derisa ishte nën ndikim të alkoolit me 1.39 promilë, e godet fizikisht të dëmtuarën me grushte në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

Mirëpo, nga këto goditje, ajo nuk kishte pësuar lëndime trupore, për çka nuk pranoi as tretman mjekësor.

“Gjyqtarja e procedurës, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi që hetimet në këtë çështje janë në fazën fillestare, si dhe duke marrë parasysh peshën e veprës penale dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, ashtu që i pandehuri me dashje e sulmon të dëmtuarën dhe përveç se e kishte goditur fizikisht i njëjti kishte vazhduar duke ushtruar dhunë psikologjike deri në ardhjen e Policisë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Nga të lartë cekurat, si dhe duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit, sjelljet në shtëpi, abuzimi me alkool, të gjitha këto gjykata vlerëson se arsyetojnë masën e paraburgimit si të domosdoshme për sigurimin e prezencën së të pandehurit dhe të evitohet rreziku i përsëritjes së veprës penale./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin