Të premten e 26 nëntorit, rreth orës 19:00 i gjithë vendi u trondit nga një rast i rëndë në Gllogjan të Deçanit. Aty një person i maskuar gjuajti me kallashnikov në drejtim të një autobusi, që la të vdekur tre persona, shoferin e autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënës të shkollës së mesme, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj.
Ndonëse, nga organet e rendit u tha se janë ‘mobilizuar’ për ta gjetur përgjegjësin për këtë krim, as pas 7 ditëve autori nuk është kapur e as nuk është identifikuar. Madje deri tani, mister qëndron edhe motivi se pse është kryer kjo vepër, shkruan Gazeta Sinjali.
Për lehtësimin e këtij procesi, Qeveria ka premtuar 20 mijë euro për këdo që ndihmon në kapjen e autorit/ëve që kanë kryer krimin makabër.
E sa i përket pistave të hetimit, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti të shtunën tha se ekzistojnë dy pista nga ku do të fillojë zbardhja e rastit.
Të dielën e 28 nëntorit, Kurti u takua me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti. Pas këtij takimi, Kurti u shpreh se është rritur sasia e informacionit por nuk kanë ende zgjidhje.
“Mësova që i kanë shtuar përpjekjet, po rritet sasia e informacionit, mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48 orësh, fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen, por nuk po mungon angazhimi. Janë shtuar numri i zyrtarëve të cilët po merren me hetimin dhe hulumtimet, në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, tha Kurti.
Ndërsa, prokurorja e rastit Sahide Gashi ka thënë se kanë disa indikacione në lidhje me rastin.
“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, tha Gashi të hënën.
Përmes një konference për media që u mbajt të shtunën, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i ka shpallur ultimatum autorit/ autorëve të krimit në Gllogjan që të dorëzohen.
Tri viktimave, të dielën iu dha lamtumira e fundit. Dy nxënësit u varrosën në varrezat e fshatit Gllogjan, ndërsa shoferi u varros në Skivjan të Gjakovës. /GazetaSinjali/