Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee, në Paris.
Nga Zyra e Kryeministrit njoftojnë se gjatë këtij takimi, Kurti dhe Macron kanë biseduar për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmen evropiane.
Temë e këtij takimi bëhet e ditur se ka qenë edhe sfida e ballafaqimit me pandeminë COVID-19.
Përveç këtyre dy fjalive dhe një fotografie nga dhoma e takimit, Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë asnjë detaj nga takimi Kurti-Macron.
Para këtij takimi, dy liderët dolën në një konferencë të përbashkët për media.
Kurti nga Parisi tha se Evropa është bashkimi më i mirë për të hedhur bazat një paqeje afatgjatë dhe të konceptuar drejtë.
Kryeministri Kurti i garantoi Macronit se Kosova do të kontribuojë me të gjitha mundësitë edhe në rajon, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane.
Ndërkaq, Macron porositi që Kosova dhe Serbia të gjejnë një kompromis, siç tha ai, që të kthehen te e ardhmja evropiane./Gazeta Sinjali/