Nisma Socialdemokrate nuk i ka pranuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, të shpallura sot, e të cilat e lënë këtë parti jashtë Kuvendit të Kosovës.
Endrit Shala nga kjo parti, në një konferencë për media ka thënë se sot KQZ-ja ka shpallur rezultate të fabrikuara, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sot KQZ nuk shpalli rezultatin nga votat e rregullta dhe sipas ligjit për zgjedhje. KQZ ka shpallur rezultate të fabrikuara, të prodhuara nga ajo vetë, duke numëruar pako me zarfe që nuk dihet se ku e kanë origjinën, pako me zarfe të mbledhura diku në Serbi nga persona të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi”, tha Shala
“Votat nga Serbia ëë sjella në Kosovë nga persona të paautorizuar, KQZ i kontrabandoi në QNR duke i futur në rezultatet e përgjithshme”, shtoi ai.
Shala u shpreh se me votat e rregullta në bazë të ligjeve në fuqi koalicioni NISMA-AKR-PD ka kaluar pragun.
Nga rezultatet përfundimtare të shpallura sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, koalicioni Nisma-AKR-PD ka fituar vetëm 4.984 % të votave, të cilat nuk u mjaftojnë për të qenë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit. /Gazeta Sinjali/