image Nisma: Anëtarët e LVV-së në KQZ po kërcënojnë gjatë rinumërimit të votave

Kosovë

QNR/ Nisma: Anëtarët e LVV-së në KQZ po kërcënojnë gjatë rinumërimit të votave

news image

Nisma Socialdemokrate ka gjetur vërejtje në procesin e rinumërimit të 1,472 kutive të votimit, të cilat i lidhë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Përmes një komunikate, Nisma thekson se anëtarët e LVV-së në KQZ po bëjnë presion dhe po kërcënojnë gjatë rinumërimit të votave, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ne si parti politike, vazhdimisht jemi duke përcjellë këtë zhvillim, dhe gjatë gjithë këtyre ditëve të rinumërimin, vëzhguesit kanë vërejtur shumë parregullsi dhe janë ballafaquar me presione të ndryshime nga anëtarët e LVV-së në KQZ. Ata kanë ndërhyrë edhe duke kapur fletëvotimet, për më tepër edhe duke vendosur se cilat nga ato fletëvotime janë të vlefshme apo të pavlefshme. Prandaj, në bazë të raporteve ditore të vëzhgueseve tanë në QNR, përfaqësuesit e LVV-së në KQZ, përkatësisht znj. Nazlie Balaj dhe z. Adnan Rrustemi vazhdimisht kanë ndërhyrë në tavolinat ku po bëhet rinumërimi i votave, duke kërcënuar dhe shantazhuar stafin dhe vëzhguesit e angazhuar në QNR. Të apostrofuarve më lartë nuk ju mjafton presioni mbi punëtorët e QNR-së dhe vëzhguesit e partive tjera, ata ndërhyjnë edhe fizikisht në fletëvotime”, thuhet në komunikatën e Nismës.

Partia e Limajt thotë se gjendja në QNR është skandaloze, megjithëse theksojnë se vëzhguesit e tyre po e përcjellin me vëmendje maksimale këtë proces.

“Asnjë anëtar i KQZ-së nuk ka të drejtë të ndërhyjë në tavolinat e numërimit dhe aktivisht të angazhohet në rinumërim, e aq më tepër të marrin rolin aktiv të vlerësuesit të vlefshmërisë së votave. Gjatë këtij procesi, tash e disa herë ka ndodh ky veprim nga këta anëtarë të KQZ-së. Sipas raporteve të vëzhguesëve tanë, dje gjatë ditës, znj. Nazlie Balaj dhe z. Adnan Rrustemi kanë ndërhyrë në mënyrë aktive duke kërcënuar, duke rinumëruar e duke vlerësuar vota. Prezenca gjithëditore apo e shpeshtë brenda ditës e anëtarëve të KQZ-së është e pazakontë dhe sjellja e tyre e përshkruar më lartë në QNR është e paligjshme”, thuhet tutje në komunikatë.

“Duke ditur përgjegjësitë e qarta ligjore të anëtarëve të KQZ-së që janë të parapara me ligj, ndërhyrja e çdo anëtari të KQZ-së në tavolinat e rinumërimit është presion, është intimidim, duke shfrytëzuar pozitën e tyre për të ndikuar ndaj punëtorëve të administratës, që janë përgjegjës për rinumërimin e votave, po ashtu është qëllim për të penguar vëzhguesit e partive politike për të kryer detyrën e tyre të paraparë me ligj”, thuhet në fund të komunikatës së Nismës Socialdemokrate. /Gazeta Sinjali/