Një mosmarrëveshje në familje mes djalit dhe babait të tij, dyshohet se ka përfunduar me sulm fizik ndaj djalit tjetër të familjes, i cili tentoi që të pengojë sulmin ndaj kryefamiljarit.
Si pasojë një person i mitur është arrestuar të mërkurën rreth orës 23:00 në Prishtinë, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij, po ashtu të mitur, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku thuhet se viktima ka pranuar tretman mjekësor.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar – i mitur, nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje në familje (me babain) ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar -vëllain tij po ashtu i mitur, i cili kishte ndërhyrë për të penguar sulmin ndaj babait të tyre” thuhet në njoftim.
Policia njofton se pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.