Ka nisur seanca gjyqësore ndaj Labinot Grudës, i cili dyshohet për vjedhjen e dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, raporton Gazeta Sinjali.
Bëhet e ditur se kjo seancë është duke u mbajtur me dyer të mbyllura për monitoruesit dhe publikun në Gjykatën e Prishtinës.
Gazeta Sinjali ka raportuar se një person është arrestuar kurse dy të tjerë janë ende në arrati pasi që të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ata dyshohet se derisa ishin në pozita zyrtare kanë keqpërdorur thesarin shtetëror për të transferuar para në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 cent në llogarinë e operatorit ekonomik LDA Group SH.P.K.
Gazeta Sinjali ka raportuar edhe se është kërkuar bllokimi i llogarive të të dyshuarve, pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.
Gjatë ditës së djeshme për këtë çështje, mbajti konferencë ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila ka treguar se në mënyrë të kundërligjshme janë bërë 4 transaksione nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe se mbi 2 milionë euro janë dërguar në llogarinë e një operatori ekonomik./ Gazeta Sinjali/