image Familjari i Salih Zybës punësohet në Ministrinë e Rozeta Hajdarit

Politikë

Familjari i Salih Zybës punësohet në Ministrinë e Rozeta Hajdarit

news image

Drilon Zyba, i cili është familjar i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, është punësuar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se Zyba është punësuar si asistent i ministres Rozeta Hajdari.

Mirëpo, kjo nuk është pozita e vetme që Zyba mban në këtë ministri. Familjari i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje është edhe shofer i ministres dhe kabinetit të saj.

Emri i tij nuk figuron në faqen e ministrisë në fjalë, por Hajdari më 3 maj të këtij viti e ka uruar Zybën për ditëlindje, duke e quajtur koleg dhe duke e falënderuar për kujdesin të cilin thotë se ai e tregon në punë.

“Shumë urime ditëlindjen, koleg i mirë, Drilon, që më shoqëron gjithmonë me shumë kujdes e respekt në orët e mia të punës në MINT dhe në terren. Të dëshiroj jetë të gjatë me shumë gëzime, me familjen e bukur që ke Drilon Zyba”, ka shkruar ajo, duke shpërndarë disa fotografi të realizuara gjatë punës.

Kujtojmë që në Qeverinë Kurti 1, po në ministrinë që udhëhiqej nga Rozeta Hajdari, atëkohë si MEPTINIS, Zyba ka shërbyer si shofer i ministres.

Madje, Gazeta Sinjali pati raportuar se ministrja Hajdari kishte lejuar që Zybës t’i paguhej një gjobë për kundërvajtje, me paratë e shtetit./Gazeta Sinjali/