image Ngritja e çmimeve/ Në Shqipëri qytetarët dolën në rrugë, në Kosovë 'protestuan' online

Sociale

Ngritja e çmimeve/ Në Shqipëri qytetarët dolën në rrugë, në Kosovë ‘protestuan’ online

news image

Ngritja e çmimeve të produkteve elementare për çdo familje ka qenë kryetema e ditëve të fundit, duke lënë në harresë edhe shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Kundër ngritjes së çmimeve të produkteve ushqimore e naftës sot qytetarët në Shqipëri dolën në rrugë, e nesër janë paralajmëruar protesta edhe më të mëdha. Aq të mëdha sa pak më parë zyra e kryeministrit Rama u blindua me veshje metalike.

Për dallim nga shteti shqiptar, në Kosovë nuk është organizuar ende asnjë protestë kundër ngritjes së çmimeve, edhe pse vaji u shit për 3.49 euro, dy euro më shumë sesa vlera me të cilin u importua.

Në Kosovë u dëgjuan ankesa nga qytetarët duke u ‘shfrenuar’ nëpër rrjete sociale, mirëpo vetëm një person doli sot në protestë e nuk u përkrah nga askush.

Ndërkaq, nga organet qeveritare u tha se ‘gjendja është në kontroll dhe nuk ka vend për panik”.

Nga institucionet shtetërore nuk u mor asnjë hap konkret kundër shtrenjtimit të çmimeve derisa vaji shënoi rritje enorme të çmimit, prej 1.90 në 3.49 euro.

Dje Inspektorati i Tregut zhvilloi një aksion në Suhodoll, ku mbylli depon kryesore të Viva Fresh Store dhe gjeti rreth 100 mijë litra vaj të fshehura. Gjithashtu u mbyll edhe depoja e kompanisë “Migros” në Fushë Kosovë.

Ndërsa Inspektorati sot ndërmori edhe një tjetër aksion. Kësaj here në pompa të derivateve dhe markete duke inspektuar çmimet e naftës dhe produkteve ushqimore.

“Me këtë rast janë shqiptuar një numër i madh i gjobave gjithashtu lëndët do të trajtohen në pajtim me legjislacionin në fuqi. Inspektimet do të vazhdojnë dhe në çdo rast kur konstatohen shkeljet, do të merren masa ndëshkuese”, thuhet në njoftim.

Panik të madh te qytetarët shkaktoi edhe dyshimi se Kosova po përballet me mungesë të miellit, për të cilën u deklarua edhe kryeministri Kurti.

Ai në një konferencë për media tha se “qytetarët që kanë blerë miell më shumë se që iu duhet, ta kthejnë në furrë”.

E për një krizë të mundshme rreth miellit foli Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, i cili tha se vendi ka rezerva të mjaftueshme të grurit dhe nuk ka vend për shqetësim.

Për Gazetën Sinjali, Zejnullahu tha se Kosova ka rezerva të miellit edhe për 3-6 muaj.

/GazetaSinjali/