image Ngritet aktakuzë për vrasjen e 17 vjeçarit në Prishtinë, Sinjali sjell detaje

Drejtësi

Ngritet aktakuzë për vrasjen e 17 vjeçarit në Prishtinë, Sinjali sjell detaje

news image

Vrasja e rëndë që ndodhi më 12 mars të këtij viti, ku humbi jetën 17-vjeçari Lekë Bulliqi nga Prishtina ka tronditur gjithë vendin. Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër 4 personave të dyshuar.

Gazeta Sinjali ju sjell detaje se si ndodhi ngjarja në ditën kritike të 12 marsit.

Lekë Bulliqi u qëllua me armë zjarri në rrugën “Hys Popova” në Prishtinë rreth orës 15:00 më 12 mars 2020, nga i akuzuari Eduard Ibrahimi,  i cili po ashtu ka vënë në rrezik jetën e dy të dëmtuarve R.G., dhe B.S., për shkak të një konfilkti që kishte ndodhur disa ditë më parë.

Por si ndodhi ngjarja në detaje?

Burime të Gazetë Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se në aktakuzën e ngritur thuhet se më 12 mars 2020 derisa i ndjeri Lekë Bulliqi kishte qenë duke ecur bashkë me R.G., nga drejtimi i lagjes “Arbëria” në drejtim të stacionit të autobusëve në Prishtinë, pas tyre kishin shkuar me motoçikletë dy të akuzuarit Eduard Ibrahimi dhe Egzon Matoshi.

Motoçikletën e kishte drejtuar Eduard Ibrahimi, i cili në momentin kur i është afruar viktimës, e kishte ulur shpejtësinë dhe e kishte nxjerrë armën e zjarrit duke shtier dhe qëlluar në kokë të ndjerin Lekë Bulliqin.

Sipas të njëjtave burime, derisa në momentin tragjik Bulliqi ishte rrëzuar në tokë, dy të dyshuarit kishin ikur nga vendi i ngjarjes, por kishin ndërruar vendet në motoçikletë, të cilën pastaj e drejtonte Egzon Matoshi.

Të ndjerit Bulliqi, kalimtarët u afruan t’i ndihmonin, derisa erdhi ndihma mjekësore për ta dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

Por përkundër tretmanit në QKUK, të nesërmen, më 13 mars 2020, Lekë Bulliqi nuk mundi t’u bëjë ballë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

Në  vendin ku ndodhi ngjarja tragjike në mes të ditës është gjetur një armë e zjarrit.

Kështu që Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon Eduard Ibrahimi se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” dhe për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq Egzon Matoshi akuzohet për veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve të pas kryerjes së veprës penale”.

Përparim Ibrahimi po ashtu akuzohet për veprën e njëjtë “dhënia e ndihmës kryesve të veprës penale” si dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe Lirim Begolli akuzohet nga Prokuroria për veprën “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”.

Ndaj të akuzuarve Prokuroria kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë t’ua vazhdojë masën e paraburgimit.

/GazetaSinjali/