Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Jonuz Gashi, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 12 qershor 2021, në fshatin Sopniq, komuna e Rahovecit pikërisht në oborrin e shtëpisë së tij, Jonuz Gashi me dashje, ka privuar nga jeta tani të ndjerin, vëllain e tij, Hasan Gashin.
Rasti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth disa bagëtive, ku viktima kishte shkuar me dy djemtë e tij në oborrin e të pandehurit, dhe pas një fjalosje, i njëjti me armë zjarri e ka qëlluar dy herë vëllain e tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Po ashtu, i pandehuri Jonuz Gashi, më parë e deri më 12 qershor 2021, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.
Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/Gazeta Sinjali/