image I dyshuari për vrasjen e vëllait në Rahovec ishte i dënuar me 11 vjet burgim në Zvicër, kjo është arsyeja

Ekskluzive

I dyshuari për vrasjen e vëllait në Rahovec ishte i dënuar me 11 vjet burgim në Zvicër, kjo është arsyeja

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë ka sjellur rrëfimin e njërit nga familjarët e 65-vjeçarit Hasan Gashi, i cili dyshohet se u vra më 12 qershor nga vëllai i tij, Januz Gashi, në fshatin Sopniq të Rahovecit. Dyshimet e para janë se ngjarja fatale ndodhi për motive pronësore, për të cilat Januz Gashi gjendet në paraburgim si i dyshuar për “vrasje të rëndë”. Por kjo nuk është hera e parë që ai po qëndron në burg.

Sinjali ju sjell detaje për një rast tjetër kur Januz Gashi ishte dënuar dhe kishte qëndruar në burg për më shumë se 10 vite, por jo në Kosovë.

Persona të afërt me këtë familje, në kushte anonimiteti thanë për Sinjalin se Januz Gashi kishte qëndruar gjatë kohës së para luftës në Kroaci, ku dyshohej se e kishte therur me thikë gruan e tij.

Për të mos u ballafaquar me drejtësinë, Januz Gashi atëkohë kishte ikur nga autoritetet e drejtësisë për në Zvicër. Por “liria” e tij përfundoi aty, pasi që u arrestua nga autoritetet zvicerane dhe u dënua me 11 vite burgim, thanë për Sinjalin të afërmit e familjes Gashi.

Shumë vite prej kur përfundoi dënimin e tij për dhunë në familje, Januz Gashi gjendet sërish pranë drejtësisë, mirëpo tani dyshohet për vrasje të rëndë.  

Gjykata Themelore në Gjakovë dje ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tij.

Gjatë ditës së djeshme, Sinjali solli rrëfimin e njërit nga familjarët e viktimës dhe të dyshuarit, i cili tha se Januz Gashi kur gjuajti me armë në natën tragjike të së shtunës, kishte cak djemtë e vëllait të tij. Megjithatë, i vdekur mbeti vëllai i tij, 65-vjeçar.

Ky familjar e përshkroi Januz Gashin si “njeri i problemeve”.

“Ai është një njeri që i ka pengu edhe buburreci. Ai veç mendime ka pasur si me i bë problem çdo personit”. Ndonëse nuk dëshiroi të flasë më shumë për të, ai e përfundoi rrëfimin e tij duke thënë se “ai e ka preferuar, hobi e ka pasur problemin”.

Për këtë ngjarje dje foli edhe kryetari i fshatit Sopniq, i cili tha se edhe në të kaluarën, dy vëllezërit, viktima dhe dorasi kishin pasur mosmarrëveshje, por që me ndërmjetësimin e fshatarëve janë pajtuar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/