image "Deshi t'i vrasë nipat por 65-vjeçari i doli përpara dhe vdiq" - Rrëfimi i familjarit për burrin që vrau vëllain në Rahovec - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107921

Të shëruar

105549

Të vdekur

2265

“Deshi t’i vrasë nipat por 65-vjeçari i doli përpara dhe vdiq” – Rrëfimi i familjarit për burrin që vrau vëllain në Rahovec

news image

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë ekskluzivisht për vrasjen e Hasan Gashit nga i dyshuari vëllai i tij, Januz Gashi, në fshatin Sopniq të Rahovecit. Dyshimet e para janë se ngjarja fatale ndodhi për shkaqe pronësore. Januz Gashi është arrestuar nga Policia, ndërsa trupi i Hasan Gashit është dërguar në IML për obduksion.

Por çfarë ndodhi para ngjarjes tragjike dhe si mbeti i vdekur Hasan Gashi nga të shtënat me armë të vëllait të tij, Januz Gashit?

Sinjali ju sjell rrëfimin e një familjari të viktimës dhe të personit të dyshuar – Januz Gashi kishte cak djemtë e vëllait të tij, e jo vëllain

E gjithë ngjarja tragjike që ndodhi rreth orës 21:00 të së shtunës dyshohet se nisi pas një zënke mes Hasan Gashit me vëllain e tij, tashmë të dyshuar, Januz Gashin.

I ndjeri 65-vjeçar, sipas familjarit i doli përpara vëllait Januz Gashit kur ai deshi t’i gjuajë djemtë e tij.

“Një gjë e di që Januz Gashi ka pasur qëllim t’i gjuajë dy djemtë e Hasan Gashit, vëllait të tij, por ata dy plumba i ka marrë i ndjeri Hasani. I ka dalë përpara kur Januzi ka gjujtë, për arsye që mos me ju ndodhë asgjë djemve të tij”, rrëfen për Sinjalin ky familjar.

Tutje ai thotë se Hasan Gashi nuk ka qenë person i problemeve e i mosmarrëveshjeve, madje shton se ai ka qenë e kundërta e gjërave të këqija.

“Ai nuk ka pasur problem me askënd. U kanë edhe është edhe ka me kanë njëri i paharruar për ne. Ai u kanë që t’ka dhënë motiv për jetë, e jo probleme. Ai s’e ka njohur problemin”, shton tutje familjari.

Por fjalët e mira ky familjar i tyre nuk i ka edhe për Januz Gashin. Gjatë rrëfimit për Sinjalin ai shihet shumë i mllefosur dhe thotë se “Januzi veç probleme don”.

“Ai është një njeri që i ka pengu edhe buburreci. Ai veç mendime ka pasur si me i bë problem çdo personit”. Ndonëse nuk dëshiroi të flasë më shumë për Januz Gashin, ai e përfundoi rrëfimin e tij për të duke thënë se “ai e ka preferuar, hobi e ka pasur problemin”.

Në fund të rrëfimit të tij, ky familjar pati një thirrje për institucionet e sigurisë në Kosovë.

“Apel ju kisha bë shtetit, Policisë së Kosovës, që s’janë ka ndërmarrin masa për asgjë. Njerëzit janë ka vdesin, e po ecin”, përfundoi ai për Sinjalin.

65-vjeçari në spital u dërgua me tri plagë të rënda që ishin fatale për jetën e tij, tha mjeku kujdestar që e kontrolloi atë para se të ndërronte jetë.

“Ai ka ardhur i gjallë, por në gjendje shumë kritike. Për shkak se ka pasur dy plagë hyrëse-dalëse në gjoks dhe një në qafë pacienti është reanimuar dhe i është vendosur edhe një tub torakal për të mos i dalë gjaku, mirëpo lëndimet kanë qenë shumë serioze dhe nuk iu ka mbijetuar pas gjysmë ore”, tha mjeku Jeton Vorfi.

Sot gjatë ditës ka folur edhe kryetari i fshatit, i cili tregon se edhe në të kaluarën, dy vëllezërit, viktima dhe dorasi kishin pasur mosmarrëveshje, por që me ndërmjetësimin e fshatarëve janë pajtuar.

“Janë vëllezër në mes veti dhe një mosmarrëveshje e vogël duket se ka çuar në tragjedi. Ne të gjithë kemi mosmarrëveshje nga pak me njëri-tjetrin. Këta edhe më herët kanë pasur mosmarrëveshje të vogël, por unë pata insistuar të pajtohen. Kur iu ka vdekur nëna, djemtë e të ndjerit e patën marrë axhën dhe nuk kanë pasur më mosmarrëveshje. Tash kemi mbetur pa fjalë. Nuk ka as tri-katër ditë që kemi qëndruar së bashku në park. Sipas djemve të tyre, zënka e tanishme ka ndodhur për disa fjalë. Thjesht problem familjar”, ka thënë kryetari i fshatit, Melsur Gashi.

Januz Gashi, i dyshuar për “vrasje të rëndë” është duke u mbajtur në paraburgim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin