Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Vig të Burrel të Shqipërisë. I moshuari 63-vjeçar, Islam Meta ka vrarë me armë gjahu shtetasin 52 vjeçar, Petrit Kuka.
Autori i dyshuar i kësaj ngjarje, pasi ka kryer krimin ka telefonuar Policinë dhe ka treguar mbi rrethanat e ngjarjes dhe më pas ka kërkuar të vetëdorëzohet.
Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se ngjarja ka ndodhur për arsye se autorit të vrasjes në vitin 2013 i është plagosur vajza nga viktima Petrit Kuka. Ky i fundit ishte i dashuruar me vajzën e Islam Metës dhe kërkoi të fejohej me të, por familja e vajzës nuk e pranoi dhe e fejuan vajzën me dikë tjetër. Për t’u hakmarrë Petrit Kuka e plagosi vajzën kur ajo u fejua.
Prej atëherë marrëdhëniet kanë qenë konfliktuale mes dy familjeve.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po bëjnë shoqërimin e shtetasit I.M, në komisariat.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /TopChannel/