Vendimi i ditës së djeshme nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pa dyshim se i ka konvenuar më së shumti koalicionit Nisma-AKR-PD, por jo edhe partive të tjera, raporton Gazeta Sinjali.
Vendimi që votat e ardhura nga Serbia të konsiderohen të pavlefshme pritet t’i mundësojnë këtij koalicioni hyrjen në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e ardhshme. Por padyshim se humbësja më e madhe pritet të jetë Lëvizja Vetëvendosje nga ky vendim.
Përveç se i ka prishur kalkulimet për krijimin e qeverisë së ardhshme vetëm me LDK-në, kjo parti pritet t’i ketë tre deputetë më pak.
Nga 32 deputetë sa kishte kjo parti, pritet t’i ketë vetëm 29, nëse koalicioni Nisma-AKR-PD futen në Kuvendin e Kosovës.
Në anën tjetër LDK-së pritet t’i ketë një deputetë më pak – kjo parti pritet t’i ketë 28 ulëse. Ndërkohë edhe PDK-së dhe koalicionit AAK-PSD, pritet t’u hiqet nga një deputet.
Ndërkohë sipas deklarimeve të Nismës, kjo parti ka fituar gjashtë ulëse, ndërsa deputetët e zgjedhur pritet të jenë: Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Mirlinda Sopi Krasniqi, Albulena Balaj Halimaj./Gazeta Sinjali/