image Nga sa deputetë do të merrnin partitë nëse në Kosovë do të aplikohej sistemi zgjedhor i Shqipërisë

Politikë

Nga sa deputetë do të merrnin partitë nëse në Kosovë do të aplikohej sistemi zgjedhor i Shqipërisë

news image

Numrat në Kuvend nuk do të ishin të njëjtë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit nëse edhe në Kosovë do të përdorej sistemi zgjedhor i bazuar në rajone.

Që nga zgjedhjet e para parlamentare pas përfundimit të luftës, në Kosovë janë aplikuar sisteme të ndryshme zgjedhore me lista të mbyllura e të hapura.

Si në sistemin kur është aplikuar lista e mbyllur zgjedhore ashtu edhe në atë aktual me lista të hapura, Kosova ka qenë një njësi e vetme zgjedhore.

Projeksioni i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit nëse në Kosovë do të aplikohej sistemi me shtatë zona zgjedhore. Zbatimi i një zone të vetme zgjedhore, me mundësi votimi deri në pesë kandidatë shpeshherë është kritikuar pasi që qytetet e mëdha marrin pjesën dërmuese të deputetëve duke minimizuar mundësitë që edhe komunat e vogla të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, transmeton telegrafi.

Edhe Shqipëria ka përdorur sisteme të ndryshme zgjedhore që nga rënia e diktaturës komuniste.

Sistemi aktual zgjedhor në Shqipëri quhet “proporcional rajonal”, ku 12 zonat zgjedhore përfaqësojnë 12 qarqet dhe secila zonë dërgon në Parlament numër të ndryshëm të deputetëve varësisht nga numri i banorëve.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, Vetëvendosje ka marrë 58 deputetë, PDK – 19, LDK-15, AAK-8 ndërsa NISMA nuk e ka kaluar pragun.

Por si do të shpërndaheshin mandatet e deputetëve nëpër subjekte politike nëse edhe në Kosovë do të zbatohej sistemi zgjedhor proporcional rajonal që aplikohet në Shqipëri?

Republika e Kosovës është ndarë në shtatë rajone administrative e që në rastin tonë do të jenë zona zgjedhore.

Rajoni i Prishtinës është ma i madhi për nga numri i banorëve dhe përfshinë komunat: Prishtinë, Podujevë, Drenas, Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Novobërdë dhe Graçanicë.

Rajoni i Prizrenit është i dyti për nga numri i banorëve dhe përfshinë komunat: Prizren, Suharekë, Malishevë, Dragash dhe Mamushë.

Rajoni i Mitrovicës përfshinë komunat: Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Vushtrri, Leposaviq, Zubin Potok, Zeçan, Mitrovicë e Veriut.

Rajoni i Gjakovës përfshinë komunat: Gjakovë, Deçan, Rahovec, Junik.

Rajoni i Pejës përfshinë komunat: Pejë, Istog, Klinë.

Rajoni i Gjilanit përfshinë komunat: Gjilan, Viti, Kamenicë, Kllokot, Partesh, Ranillug.

Rejoni i Ferizajt përfshinë komunat: Ferizaj, Shtime, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtërpcë.

Në bazë të numrit të banorëve [votuesve] ndarja proporcionale e 100 mandateve për rajonet e Kosovës do të ishte si në vijim:

Prishtina – 26 deputetë

Prizreni – 18 deputetë

Mitrovica – 13 deputetë

Gjakova – 12 deputetë

Peja – 11 deputetë

Gjilani – 10 deputetë

Ferizaj – 10 deputetë

Numri i deputetëve për secilin rajon mund të ndryshojë në zgjedhjet pasuese varësisht nga lëvizjet e popullsisë.

Nëse rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit të secilës komunë i vendosim në rajone dhe pastaj bëjmë ndarjen e mandateve do të kishim këto rezultate:

Prishtinë: LVV – 16 deputetë, PDK- 5 deputetë, LDK – 4 deputetë, AAK – 1 deputet

Prizren: LVV – 9 deputetë, PDK – 4 deputetë, LDK – 2 deputetë, NISMA – 2 deputetë dhe AAK– 1 deputetë

Mitrovicë: LVV – 7 deputetë, PDK – 5 deputetë, LDK-1 deputet

Gjakovë: LVV – 6 deputetë, AAK – 4 deputetë, LDK – 1 deputet, PDK – 1 deputet

Pejë: LVV – 6 deputetë, LDK – 2 deputetë, AAK – 2 deputetë, PDK – 1 deputetë

Gjilan: Vetëvendosje – 7 deputetë, LDK – 2 deputetë, PDK – 1 deputet

Ferizaj: Vetëvendosje – 6 deputetë, PDK – 3 deputetë, LDK – 1 deputet

Në bazë të këtyre rezultateve, në nivel vendi subjektet do të kishin këtë ndarje të mandateve:

Vetëvendosje – 57 deputetë

PDK – 20 deputetë

LDK – 13 deputetë

AAK – 8 deputetë

Nisma – 2 deputetë

Minoritetet do të kishin të rezervuara 20 mandate dhe të njëjtat do të ndaheshin në bazë të numrit të votave që kanë fituar në zgjedhje. /Gazeta Sinjali/