Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku Rijad Hyseni, 14-vjeçar u ther me thikë për vdekje.
Lajmin për vdekjen e tij përveç policisë, e kanë konfirmuar edhe familjarët e të ndjerit, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore të Prishtinës për të kuptuar nëse ka të arrestuar për vrasjen e të riut mirëpo nga prokuroria nuk kanë konfirmuar se ka të arrestuar deri më tani.
“Rastit të cilit ju keni referuar ju njoftojmë se në vendin e ngjarjes ka dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Kujtim Munishi, prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda dhe e Departamentit për të Mitur, bashkë me njësitë e tjera relevante. Si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka ndërruar jetë një të mitur (i moshës 14 vjeçare), ku vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, derisa prokuroria në koordinim të plotë me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, kanë thënë nga Prokuroria.
Kurse, lidhur me këtë vrasje, Policia ka lëshuar njoftim pa dhënë shumë detaje.
“Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një rast vrasje, në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Bazuar në të dhënat fillestare, personi i cili dyshohet se ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë) dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF), ku dhe është konstatuar vdekja e tij. Vdekjen e viktimës R.H. mashkull 14 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”.