20 vjet pas luftës brutale që e gjunjëzoi Kosovën, një ekip refugjatësh është në prag të kualifikimit për Euro 2020.
Kështu e nis një shkrim rrëqethës e të gjatë për Kosovën, media angleze, iNews.
Kur mbrojtësi kosovar, Mërgim Vojvoda mbërtheu këmbën për ta shënuar golin vendimtar të ekipit të tij në fitoren 2-1 kundër Republikës Çeke të shtunën, 13,000 mbështetës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë u ngritën në këmbë nga gëzimi.
Tre muaj më parë, Kosova nuk kishte fituar kurrë një turne kualifikues. Tani, pas një periudhe të pamposhtur prej 15 fitoreve të njëpasnjëshme, ata qëndrojnë në pozitë të favorshme për të synuar kualifikimin në Euro 2020.
Kosova u bë anëtare e UEFA-s në vitin 2016. Kjo është vetëm përpjekja e tyre e dytë për të arritur një turne madhor. Fitore ose humbje kundër Anglisë sot, pjesa e vështirë është bërë tashmë, shkruan iNews, transmeton Sinjali.
Kjo nuk është përrallë. Kosova, një republikë ish-Jugosllave në Ballkanin jugor, shpalli pavarësinë në vitin 2008, megjithëse kryeqyteti serb, Beogradi ende pretendon sovranitetin. Para kësaj, një luftë brutale ndërmjet viteve 1998-99 e gjunjëzoi vendin, me më shumë se 13,000 njerëz të vrarë dhe mijëra të tjerë të shpërngulur, ndërsa një rezistencë etnike shqiptare luftoi kundër regjimit shtypës të udhëhequr nga serbët.
Një ekip vërtetë ndërkombëtar
Që nga dalja nga gjakderdhja, ekipi i Kosovës në futboll është përbërë kryesisht nga diaspora. Lojtari vendimtar i të shtunës, Mërgim Vojvoda, u rrit në Belgjikë pasi familja e tij u largua nga konflikti, ndërsa ylli i ekipit, sulmuesi i Swansea, Bersant Celina, u rrit në Norvegji. Në fakt, shumica e skuadrës së trajnerit zviceran Bernard Challandes dikur ishin refugjatë. Asnjë prej tyre nuk luan në futbollin vendas në Kosovë.
Ndërkombëtarizimi është çelësi i këtij ekipi – për ironi, pas kaq vitesh të kaluara jashtë UEFA-s, në shkretëtirën e futbollit. Goli fitues në fitoren 3-2 në qershor ndaj Bullgarisë u shënua nga një norvegjez i adoptuar, Elbasan Rashani. E tashmja mund të dukej edhe më e ndritshme – Yjet e Premier League, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, të dy nga Kosova, u përcaktuan për Zvicrën para se Kosova të pranohej në UEFA.
Futbolli kosovar nuk është asgjë nëse jo një produkt i së kaluarës së dhunshme të vendit. Në vitin 1991, kur shumica shqiptare vuajti nën një regjim ndëshkues të dëshpëruar për ta shtypur nacionalizmin shqiptar, liga kosovare ishte e jashtëligjshme nga autoritetet rajonale. Ndeshjet shpesh ndaleshin nga policia serbe dhe lojtarët arrestoheshin ose vriteshin, dhe klubet u hodhën jashtë stadiumeve që ishin në pronësi të autoriteteve komunale serbe.
“Njerëzit zhdukeshin brenda natës”
Futbolli mbijetoi në baltë dhe këneta. Lojtarët u ndoqën dhe u sulmuan nga policia serbe dhe vullnetarët e armatosur. Ata përkrahës që nuk ishin në gjendje të largoheshin, pësonin poshtërim ritual në duart e paramilitarëve serbë.
“Ishte një kohë kur njerëzit po i përzinin nga shtëpitë e tyre, njerëzit zhdukeshin brenda natës ndonjëherë”, thotë Edmond Rugova, ish-sulmues i Prishtinës. “Ju do të dëgjoni tregimet më të tmerrshme”.
“Unë pashë që një shok i skuadrës ishte tërhequr zvarrë gjatë një loje, i veshur me fanellën e tij të Prishtinës. Prisnim tri orë derisa të lirohej nga stacioni i policisë”.
“Zyrtarët e ligës u rrahën dhe u arrestuan gjithashtu”, thotë Munishi. “Por të dy palët vazhduan të bëjnë presion. Ata do të luanin përsëri dhe policia do të vinte përsëri”.
Futbolli luajti një rol në ashpërsimin e qëndrimit të serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në vitin 1981, FC Prishtina emëroi si menaxher një serb të quajtur Bela Palfi. Si një mjeshtër taktik, ai e kuptoi se si të manipulonte situatën komplekse etnike të qytetit në avantazh të ekipit.
“Palfi e kuptoi shumë shpejt se kjo nuk do të funksiononte nëse klubi nuk kishte një përbërje, ku fëmijët vendas, fëmijët kosovarë-shqiptarë, përbënin pjesën më të madhe të formacionit startues”, thotë Rugova.
Këtu për të qëndruar
Me vendin e kapur nga protestat në rrugë dhe dhuna terroriste, Palfi krijoi një ekip në imazhin e njerëzve të qytetit.
“Ne ishim shtypur si popull dhe gjithçka kishte filluar të përkeqësohej”, thotë Rugova. “Kishte një konotacion të madh politik me atë që ne si klub futbolli po bënim”. Kur Prishtina fitoi 3-1 në shtëpinë e gjigandëve serb, Red Star më 1983, vendosmëria e Beogradit për ta shkatërruar Kosovën u ngurtësua, duke arritur kulmin me shtypjen brutale të viteve ’90.
Sot, statusi i pazgjidhur i vendit ende shkakton probleme. Në qershor, Mali i Zi shkarkoi menaxherin e tyre serb, Ljubisha Tumbakoviq, një ditë pasi ai nuk pranoi ta drejtojë ekipin kundër Kosovës në një ndeshje kualifikuese për Euro 2020 në kryeqytetin malazez, Podgoricë. Ishte një protestë kundër anëtarësimit të Kosovës në UEFA.
Dy lojtarë, të dy me origjinë serbe, gjithashtu refuzuan të luanin. Filip Stojkoviq dhe Mirko Ivaniq luajnë për ekipin e Red Star në Beograd dhe federata e futbollit në Mal të Zi tha se ata “kishin presionin e disa qarqeve” për t’u tërhequr.
Problemi ka ndarë edhe Evropën. Të shtunën, tetë tifozë të kombëtares së Çekisë u arrestuan në Prishtinë pasi planifikuan ta lëshonin me dron mbi stadiumin “Fadil Vokrri” një pankartë ku shkruhej “Kosova është Serbi” gjatë lojës kundër çekëve. Dhe në vitin 2016, Kosova duhej ta luante një ndeshje parakualifikuese të Kupës së Botës kundër Ukrainës në territor neutral në Poloni, pasi Ukraina refuzoi t’i njohë dokumentet e udhëtimit të lojtarëve kosovarë.
Por Kosova ka treguar që ata janë këtu për të qëndruar. Çfarëdo që të ndodhë kundër Anglisë, ata tashmë kanë shkruar kapitullin më të ndritshëm në historinë e tyre, shkruan iNews. /Sinjali/