Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje në Kosovës.
Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili tha se është numëruar edhe pjesa tjetër sa i përket votave për kandidatët për deputetë, rezultati i të cilëve do të bëhet i ditur me shpalljen e rezultatit përfundimtar.
Elezi tha se kanë mbetur edhe 19 vendvotime të dhënat e të cilave ende nuk janë publikuar në web-faqen e KQZ-së.
“Mbrëmë rreth mesnatës ka përfunduar procesi i numërimit në të gjithë vendin, nuk ka ndonjë vendvotim që ka mbetur pa u numëruar. Rezultati i subjekteve politike është procesuar në web faqën e KQZ-së. Janë vetëm 19 prej tyre që të dhënat ende nuk janë transmetuar në web-faqe dhe ndoshta kjo është arsyeja pse po ka paqartësi. Duhet ta theksojmë që procesi i numërimit të fletëvotime në vendvotime është përmbyllur mbrëmë pra, të dielën, disa orë pas përfundimit së procesit të votimit”, tha Elezi për Klan Kosova.
Ai shtoi se votat për kandidatët për deputetë janë numëruar dhe rezultatet do të bëhen të ditura me shpalljen e rezultatit përfundimtar të këtij procesi.
“Ndërkaq, po ashtu në vendvotim është numëruar edhe pjesa tjetër e fletëvotimit, sa i përket kandidatëve që kanë qenë në garë për deputetë, por rezultati i tyre natyrisht se do të bëhet i ditur me shpalljen e rezultatit përfundimtar të këtij procesi”, shtoi Elezi./Gazeta Sinjali/