image Nga deklaratat për fituesin e zgjedhjeve deri tek dialogu, ky është fjalimi i plotë i Matthew Palmer

Kosovë

Vizita/ Nga deklaratat për fituesin e zgjedhjeve deri tek dialogu, ky është fjalimi i plotë i Matthew Palmer

news image

Përfaqësuesi i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ka qëndruar gjatë ditës së sotme në Kosovë, ku përveç se ka takuar liderët e vendit dhe liderët e partive politike ka mbajtur një fjalim para studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ai nga aty ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se për asnjë çështje nuk do të diskutohet nëse palët e përfshira nuk duan ta vënë në diskutim. Po ashtu ka theksuar nevojën që dialogu të rifillojë sa më parë.

Në anën tjetër ka folur edhe për zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor të këtij viti. Palmer ka thënë se qytetarët votuan për partitë që duan ta luftojnë korrupsionin në vend.

Më poshtë e gjeni fjalimin e plotë të Palmerit pa ndërhyrje:

Më vjen mirë që jam sërish në Prishtinë. Ky qytet është kaq i gjallë – me të rinj të talentuar që nisin ndërmarrje të reja, që nuk presin, por investojnë në të ardhmen e tyre. Ky është vend i rritjes dhe ndërtimeve të reja, që zhvillohet mbi trashëgiminë e historisë dhe traditës. Si zyrtar… më i ri… i Shërbimit të Punëve të Jashtme, i caktuar në Beograd para gjysmë shekulli, rregullisht vizitoja Prishtinën ku takohesha me Dr. Rugovën dhe me mendimtarët e tjerë kryesorë – njerëz të guximshëm të komunitetit shqiptar të Kosovës që i bënin ballë ndjekjeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke rrezikuar mirëqenien e tyre dhe të familjeve të veta për të siguruar të ardhme më të mirë.

Përmes gjithë atyre sfidave, vështirësive dhe vuajtjeve shihja shpresë dhe mundësi. Sot, është e jashtëzakonshme – gjallëruese – kur e shoh se çka keni arritur, çka është bërë ky vend, kur i shoh rezultatet e përpjekjeve tuaja. Dinamizimi i Kosovës pasqyron një popullatë që ende punon me shumë mund për të ardhmen e vet: për të përmirësuar jetën; për demokraci që njëmend funksionon për qytetarë; për shoqëri që mund të ofrojë mundësi sociale, politike dhe ekonomike, për të cilat janë të etur dhe të cilat qytetarët i kërkojnë me plot të drejtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë qëndruar përkrah popullit këtu, i kanë mbështetur aspiratat e tyre, si mik dhe partner në kërkim të progresit. Themeli i politikës amerikane ndaj këtij rajoni vital për shumë vite ka qenë se zgjidhja për stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor duhet të përfshijë Kosovën dhe qëllimi ynë për këtë rajon ka qenë dhe mbetet integrimi i tij i plotë në Evropë, në tërësi dhe i lirë. Emërimi im si Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor dhe emërimi nga ana e presidentit Trump i ambasadorit Grenell si Emisar i posaçëm presidencial për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nënvizon – nëse ka pasur ndonjë dyshim – se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pranishme, të përqendruara dhe të gatshme për të ndihmuar.

Kjo është arsyeja pse jam sërish këtu. Kosova nuk mund të mbetet jashtë ndonjë zgjidhjeje të qëndrueshme për rajonin. Njësoj: Kosova e izoluar nuk mund ta arrijë të ardhmen më të mirë për vete. Kosova duhet ta kuptojë se bashkëpunimi dhe kompromisi mes fqinjëve janë valuta e përparimit në një Ballkan të ndërthurur e të ndërvarur në një botë ku largësia është zvogëluar.

Zgjidhja njëherë e përgjithmonë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet prioritet strategjik i SHBA-së, një zgjidhje që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në popullin dhe më gjerë në rajon. Ajo zgjidhje do ti çlirojë të dyjat, Kosovën dhe Serbinë, nga trashëgimia e armiqësive që shterr fokusin dhe energjinë e tyre dhe do të hapë mundësi ekonomike. Do t’ua mundësojë udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për t’ia kushtuar tërë vëmendjen e tyre çështjes së përmirësimit të jetës së popullit të tyre, duke trasuar rrugën për të ardhme paqësore dhe prosperuese.

Kosova ka demonstruar fuqi të madhe demokratike me zgjedhjet në fillim të tetorit, të cilat vërtetuan rëndësinë e garës zgjedhore dhe të zërit të popullit. Përderisa numërimi i votave po finalizohet, është e qartë se opinioni publik i Kosovës votoi për ndryshim dhe duket se votuesit zgjodhën partitë që shprehin parime të qarta kundër korrupsionit dhe për zhvillim ekonomik më të madh e më të fokusuar. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përqafojnë këto qëllime. E nxisim qeverinë e re për të parë mundësinë e normalizimit si përforcues të kësaj agjende – jo si konkurruese. Sytë e botës do të shikojnë se çka do të bëjë qeveria e re e Kosovës. A mund të merret me prioritetet e brendshme të kërkuara nga populli madje edhe përderisa merret me sfidat ndërkombëtare të cilat Kosova duhet ti zgjidhë për të përparuar. Kosovës i duhet një koalicion qeverisës që përfaqëson popullin njëzëri – një që ka objektiva reale dhe plan si ti arrijë ato.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta: shpresojmë të shohim qeveri të gatshme për të adresuar sfidat e jashtme, si dhe çështjet e brendshme. Në vend se ta shohim dialogun si shpërqendrim nga këto çështje – konsiderojeni normalizimin si trasim të rrugës për prosperitet dhe drejtësi. Çdo hap i kaluar pas normalizimit do të jetë shumë më i lehtë në një rrugë të trasuar me paqe. Marrëdhëniet e përmirësuara dhe përparimi në bisedimet me Serbinë hapin mundësi për investime fitimprurëse që krijojnë vende të reja të punës prej të cilave mund të përfitojë i tërë populli i Kosovës. Të armatosur me mandatin e ri nga votuesit, qeveria – kur të formohet – mundet dhe do të duhej ti rigjallërojë negociatat e dialogut. Shtetet e Bashkuara do ta përkrahin gjithmonë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, por nuk shohim kurrfarë mundësie për integrimin e plotë të vendit tuaj në sistemin ndërkombëtar që nuk përfshin pajtimin me Serbinë.

Jam i pari që do ta pranoja se negociatat me Serbinë kanë qenë të ndërlikuara dhe që vazhdimi i rrugëtimit për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve do të jetë sfidë që kërkon konsensus të gjerë dhe mbështetje të publikut. Por, historia relativisht e shkurtë e Kosovës është histori e përballjes dhe tejkalimit të sfidave të rëndësishme dhe e sakrificave të domosdoshme për të arritur përparim. Gjatë përpjekjeve për çlirim! Në Rambuje! Gjatë bisedimeve Ahtisaari! Me shpalljen e pavarësisë, të cilën e konfirmoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Kosova sërish tregoi vizion të palëkundur se ku dëshiron të arrijë dhe mori qëndrim. Ajo mund ta bëjë këtë sërish. Shtetësia juaj është e pakthyeshme dhe tani ju duhet normalizimi për të çliruar plotësisht potencialin e madh të këtij vendi.

Mbështetja e SHBA-së për Kosovën sovrane, demokratike dhe të pavarur është më se e fortë. Ky është themeli i marrëdhënies sonë të dyanshme. Por, qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë se vetëm partneritet të fortë me SHBA-në. Ju e meritoni botën. E meritoni BE-në e NATO-n e OKB-në. Ju e meritoni integrimin e plotë ndërkombëtar dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ju e meritoni që të mos qëndroni prapa Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por krah për krah me ne si partnerë tanët. Mënyra e vetme për ta siguruar atë të ardhme është përmes dialogut me Serbinë e status quo-ja nuk mjafton.

E di se shumë njerëz këtu janë skeptikë rreth dialogut dhe e shohin atë vetëm si ‘gotë gjysmë e mbushur’. Por, dëshiroj të theksoj çka ka fituar Kosova tashmë përmes tij:

Prej fillimit, vetë themelet e dialogut kanë qenë që Kosova ka negociuar si shtet, si ebarabartë përballë palës tjetër, e ka përfaqësuar vetveten dhe interesat e saj më të mirë.

Dialogu e ka bërë të mundshme konkretizimin e Deklaratës së Selanikut të BE-së të vitit 2003 me aranzhim real, të strukturuar, kontraktual me BE-në përkundër pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e vendit e që turbullojnë qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës.

Dialogu trasoi rrugën që pesë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen Ballkani Perëndimor Gjashtë, me Kosovën si pjesëmarrëse e barabartë, përfshirë edhe në procesin e Berlinit.

Me “Marrëveshjen e parë” të 2013-s u arrit shpërbërja e organizatave kryesore paralele në territorin tuaj. Institucionet e Kosovës janë të vetmet të pranuara në territorin tuaj përmes marrëveshjes me Serbinë – nuk ka polici apo gjykata të ndara.

Dialogu riafirmoi që ligji i Kosovës paraqet sundimin e ligjit nëpër tërë vendin. Qindra ish-shërbyes publik serbë i premtuan besnikëri institucioneve të Kosovës dhe për çdo ditë e zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës në punën e tyre. Gjyqtarët e Kosovës dhe ligjet e Kosovës e thonë fjalën e fundit.

Prej vitit 2013, serbët në tërë Kosovën marrin pjesë në zgjedhje sipas ligjeve të Kosovës; Beogradi nuk bën më thirrje për bojkotimin e tyre; dhe vetëm dokumentet e Kosovës dhe ligjet e Kosovës përdoren në zgjedhje.

Menaxhimi i integruar i kufirit ka lehtësuar lëvizjen e njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata tash mund ta kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftim, me pranim të plotë në Evropë të sigurimit të veturave dhe patentë shoferit, duke i dhënë fund regjimit të kushtueshëm të sigurimit kufitar, dhe ka mundësuar përdorimin e dokumenteve të Kosovës për të dalë nga Serbia në shtetet e treta.

Kosova ka hapësirën e vet të njohur doganore dhe bën mbledhjen e tarifave doganore në të gjitha vendkalimet për buxhetin e saj.

Regjistri civil i Kosovës tashmë është rikrijuar plotësisht.

Kosova e ka kodin e vet ndërkombëtar telefonik.

Diplomatët nga Ministria juaj e Punëve të Jashtme janë të akredituar në Beograd.

Kompromisi për yllin i siguroi Kosovës vend të barabartë në organizata të shumta rajonale. Në fakt, pikërisht tani vendi juaj kryeson procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore.

Ka edhe përfitime të tjera që mund ti përmendi. Por, kryesorja është se Kosova ka negociuar në mënyrë paqësore dhe të suksesshme marrëveshje të vështira, madje edhe përkundër konfliktit shumë të rëndë, tragjedisë njerëzore dhe dallimit të gjithmbarshëm emocional të pikëpamjeve me Beogradin.

Sot e keni rastin për të ndërtuar mbi këto suksese dhe për tu përqendruar në të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj apo ata që do të vijnë. Kosova e ka gjithë këtë energji, ide, frymë ndërmarrësie, popullatë të aftë – të gjithë përbërësit që i duhen. Përbërësi i vetëm që i mungon Kosovës është një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë e bazuar në njohjen e ndërsjellë.

Në botën e sotshme të ndërlidhur, të jesh anëtar i pranuar i institucioneve multilaterale, ndërkombëtare do të thotë institucione më funksionale në vend. P.sh. policia efikase e vendit duhet të jetë edhe anëtare e Interpolit dhe thesaret kulturore të Kosovës duhet të mbrohen si pjesë e sistemit të UNESCO-s. Besoj se Kosova është e gatshme për të kontribuar dhe për ti përmbushur zotimet ndaj këtyre dhe ndërmarrjeve të tjera multilaterale.

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë po ashtu hap më shumë mundësi ekonomike për ndërmarrjet dhe punëtorët kosovarë, ofron mundësi të barabarta për Kosovën për të konkurruar në aspektin komercial, mundëson shkëlqimin e frymës së saj ndërmarrëse. Kjo është esenciale për zhvillimin ekonomik dhe përparimin për qytetarët e Kosovës. Kosova duhet ti bindë bizneset se ky është vendi i duhur për të investuar. Bizneset ngurrojnë të investojnë këtu jo pse mendojnë se mungojnë mundësitë apo punëtorët e talentuar, por sepse ata vazhdojnë me perceptimin se këtu vazhdon të ketë konflikt, se nuk është vend i sigurtë, se rreziku është shumë i madh. Nëse bizneset shohin përparim, shohin mjedis operativ të karakterizuar me sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë – ata do të duan të vijnë këtu sa më herët e sa më parë. Bota është e mbushur me vende që kanë mospajtime politike mes fqinjëve, por kur bizneset mund të angazhohen lirshëm, kur njerëzit dhe mallrat mund të lëvizin pa pengesa, aty ka prosperitet – e prosperiteti ndihmon në sigurimin e paqes.

Bisedimet nganjëherë kanë pasur mungesë transparence dhe njerëzit me të drejtë janë të uritur për ndryshime, me të drejtë janë të shqetësuar me çështjet themelore si korrupsioni dhe vendet e punës. Po ashtu është e vërtetë se negociatorët e çdo ujdie të vështirë, inovative, ndërkombëtare duhet të kenë hapësirë gjatë negociatave për ti eksploruar idetë, kompromiset e mundshme dhe artin e të mundshmes. Duhet të kenë mundësi ta bëjnë këtë pa ndëshkim për ato përpjekje, pa ndëshkim për marrjen e rreziqeve. Shqetësimi i disave – e ndoshta dëshira e disa të tjerëve– ishte që SHBA-ja do të përpiqej për t’ua imponuar zgjidhjen Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund dhe nuk do të bënim diç të tillë. Mbani në mend: nuk ka marrëveshje përfundimtare pa pajtimin e Kosovës dhe të Serbisë dhe pa miratimin e saj nga Kuvendet përkatëse – ashtu siç kërkohet me kushtetutat e dy vendeve.

Sigurimi i kësaj do të duhej të jetë prioritet i të gjithë qytetarëve, partive dhe qeverisë suaj të re. Udhëheqësit e Kosovës duhet të përgatiten për tu riangazhuar në këtë çështje më se të ngutshme ndërkombëtare dhe të organizohen përbrenda për tu riangazhuar me Serbinë në mënyrë efikase. A mund ta paramendoni ditën kur çështjet e papërfunduara të kenë përfunduar dhe Kosova tash është lidhur plotësisht me rrjetin e të gjitha shërbimeve dhe përparësive të Evropës? A mund ta paramendoni – siç mund ta paramendoj unë – përfitimet për ju dhe fëmijët tuaj në një rajon në paqe, të shënuar ndoshta jo me pengesat tregtare hakmarrëse që të bëjnë të ndjehesh mirë, por me lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve?

Në anën tjetër, a mund ta paramendoni përparimin e Kosovës nëse konflikti i ngrirë zvarritet dhe parandalon integrimin e Kosovës me fqinjët dhe në sistemin ndërkombëtar? A mund të pritni mundësi më të mëdha për bizneset e Kosovës nëse kjo situatë vazhdon edhe më tej?

Edhe Serbia duhet të ripërqendrohet në interesat e saj strategjikë të përgjithshëm. Ajo ka qenë agresive në përpjekjet e saj për deligjitimitetin e Kosovës. Serbia duhet ta ndalojë fushatën e saj për nxitjen e vendeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Serbia duhet ta ndalojë ngacmimin e serbëve të Kosovës pjesëtarë të institucioneve të Kosovës. Retorika e pandërprerë e konfrontimit – sinqerisht, nga të dy anët – duhet të ndalet. Këto masa vetëm kanë prishur atmosferën për një marrëveshje kompromisi, e cila i duhet Serbisë për të përmbushur potencialin e saj të plotë. Presidenti Vuçiq dhe pjesa më e madhe e Serbisë e dinë se Serbia kurrë nuk do të hyjë në BE nëse nuk e zgjidh kontestin e kahmotshëm me Kosovën. Përderisa zërat e tjerë prijës në Serbi refuzojnë ta pranojnë Kosovën si fqinje, por e shohin si pronë, atëherë do të ketë ngecje, nga e cila Serbia humbet politikisht edhe ekonomikisht.

Prandaj, le ti dyfishojmë përpjekjet tona së bashku. Jemi të gatshëm për të punuar me udhëheqësit e të dy vendeve për të eksploruar opcione, që do të marrin mbështetjen e opinionit publik të të dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve. Për Kosovën dhe Serbinë kjo është pikë kthese, çast i mundësisë së hatashme, çast vendimi: a vazhdoni përpara në kërkim të një ujdie historike që do të mund të ndryshonte pamjen e këtij rajoni apo do të lejoni që vendet tuaja të shkojnë prapa? Shikoni nivelin e lartë të vëmendjes që SHBA-ja po ua kushton për t’ju ndihmuar që ta tejkaloni këtë pengesë njëherë e përgjithmonë dhe për të ecur përpara në rrugëtimin tuaj përkatës, të çliruar nga prangat historike që po ju tërheqin poshtë. Yjet janë të renditura. Ju nxis ta shfrytëzojeni këtë mundësi.

Kosova nuk është ishull; është pjesë integrale e këtij rajoni. E ardhmja e Kosovës do të formohet gjithashtu edhe nga ngjarjet dhe zhvillimet në fqinjësinë e saj. Do të dëshiroja të flas pak për zhvillimet rajonale.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Perëndim duhet të kompletohet. Për ne, kjo nënkupton anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjithë dhe në NATO për të gjithë ato vende të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë ti bashkohen. Kjo nuk është vetëm “punë e papërfunduar” për SHBA-në. Ky vizion është qendror për interesat strategjikë të SHBA-së – dhe do të pohonim, edhe interes strategjik evropian – sepse do të përforcojë partneritetin transatlantik për të adresuar sfidat në rritje gjeopolitike me të cilat përballemi sot. Pa integrimin e tërë Ballkanit, Evropa, partnerja jonë, është më e dobët. Kjo është politikë e SHBA-së dhe politikë e BE-së. Por, ç’është më e rëndësishme, këto janë vizioni dhe vlerat që vendet e rajonit i kanë shprehur për vete.

Them “ç’është më e rëndësishme” sepse ne nuk mund ta dëshirojmë këtë të ardhme për partnerët tanë më shumë se sa që e duan ata për vete. Zgjidhja e konflikteve të kahmotshme, luftimi i korrupsionit, rritja e transparencës së qeverive, mbrojtja e medieve të pavarura dhe ndërtimi i një qytetarie të angazhuar janë gurë thelbësore në këtë rrugëtim drejt Perëndimit. Për të arritur dhe mbajtur këto kërkon udhëheqje të vërtetë, vendime të guximshme dhe gatishmëri për të ndërmarrë rreziqe politike.

Kjo është arsyeja se pse dështimi i Këshillit Evropian për të arritur koncensus për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me shtetet kandidate Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte aq zhgënjyes. Të dy vendet u kualifikuan pas ndërmarrjes së reformave të jashtëzakonshme. Udhëheqësit e BE-së e pranuan se shtetet aspiruese kishin bërë krejt çka iu ishte kërkuar dhe “pauza” për ti bindur të gjitha shtetet anëtare të BE-së është frustruese. BE-ja duhet ti kryejë detyrat e vet dhe shpresojmë ti kryejë ato shumë shpejt. I nxisim shtetet anëtare të BE-së për të marrë vendim pozitiv për të dy vendet shumë më përpara Samitit të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në maj të vitit të ardhshëm.

Në të njëjtën kohë, vendet e rajonit duhet ta vazhdojnë transformimin sepse hapja e negociatave për anëtarësim nuk paraqet fundin e reformave shtetërore, por është hapi i parë në një proces të gjatë, të ndërlikuar dhe kërkues. Nuk e mohoj se procesi i anëtarësimit në BE është vështirësuar në krahasim me raundet e mëhershme të zgjerimit. E shohim se kriteret janë vështirësuar. Por, mos e humbisni nga sytë faktin se ky proces, në fund të fundit, nxitet nga qëllime vetiake: puna për kualifikim për anëtarësim në NATO dhe BE ndihmon në udhëheqjen e zhvillimit të forcës, qëllimit dhe integritetit si shtet që është më mirë i pajisur për të siguruar mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve. Prandaj, është në rregull që jeni zhgënjyer, por mos e humbni shpresën. Vazhdoni punën për të ndërtuar një shoqëri transparente, të bazuar në rregull, demokratike përgjegjëse ndaj nevojave të qytetarëve.

Marrëveshja e Prespës është shembull i transformimit për të cilin po flas. Ajo mbetet arritje e jashtëzakonshme diplomatike e mbërritur nga prijës që mendojnë kah e ardhmja, të cilët refuzuan të heqin dorë nga një proces shumë i vështirë sepse e dinin se ishte në interes afatgjatë të popujve dhe vendeve të tyre. Prespa është dëshmi e parimeve perëndimore për të punuar me fqinjët dhe partnerët perëndimorë për të adresuar krah për krah sfidat e përbashkëta transnacionale. Populli i të dy vendeve do të vazhdojë ti vjelë përfitimet e kësaj të arriture. Maqedonia e Veriut dhe Greqia po i zgjerojnë marrëdhëniet bilaterale në një varg fushash, zyrtarisht dhe përmes bizneseve private dhe organizatave. Vazhdimi i zbatimit të kësaj ujdie historike do të avancojë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin përgjatë tërë rajonit. Në mirënjohje të reformave të Maqedonisë së Veriut dhe bindjeve që i udhëhoqën ato reforma, NATO-ja është duke e mirëpritur Maqedoninë e Veriut si aleaten e 30-të të saj.

Në ndërkohë, na vjen mirë që të gjitha partitë e kanë vërtetuar se do ti vazhdojnë synimet për përmbushjen e qëllimit strategjik për anëtarësim të plotë në BE dhe rrugëtimin perëndimor. Duhet të qëndrojnë në këtë kurs.

Edhe Shqipëria, aleatja jonë në NATO, duhet të qëndrojë në rrugën e duhur. Integrimi i saj në BE është çështje e përqendrimit të pandërprerë dhe vullnetit politik. Shikoni çka ka arritur Tirana deri tash:

Reforma gjyqësore të padëgjuara më parë për ta çrrënjosur korrupsionin endemik të sistemit të vjetër;

Reforma të thella të domosdoshme për vetingun e të gjithë 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për çfarëdo pasurie të pashpjegueshme, lidhjet me krimin e organizuar dhe kompetencën. Fakti se më pak se 50 për qind prej më shumë se 160 juristëve të shoshitur deri tash e kanë kaluar testin tregon për korrupsionin e thellë dhe lidhjet me krimin e organizuar të sistemit të vjetër;

Krijimi i dy organeve të reja mbikëqyrëse të gjyqësorit – Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë – për emërimin, qeverisjen dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

Puna e mundimshme e ka sjellë Shqipërinë në prag të themelimit të një trupe të re të pavarur: Zyrës së Prokurorit dhe Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit (SPAK), si dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), që do ta ketë për detyrë ti hetojë rastet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të zyrtarëve të lartë.

Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri ka ardhur, siç është dëshmuar me fillimin e shkatërrimit mbi bosët famëkeq dikur të paprekshëm të krimit të organizuar si Klement Balili. Vazhdoni më tutje. Kjo do të thotë përparim të vazhdueshëm në reformat në gjyqësor; rivendosjen e kuorumit në gjykatën kushtetuese me gjykatës të shoshitur përmes vetingut, dhe miratimin e reformave zgjedhore tashmë të vonuara. Populli i Shqipërisë kërkon përparim serioz dhe të qëndrueshëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe institucione politike e gjyqësore që funksionojnë siç duhet, në mënyrë të drejtë, efikase dhe transparente. Ata kanë të drejtë të kërkojnë këtë.

Kjo është arsyeja pse prijësit politikë dhe partiakë duhet, përmes fuqisë së tyre, ta zgjidhin ngërçin e sajuar politik që kërcënon ta pengojë rrugëtimin e Shqipërisë përpara.

Një fjalë për opozitën e Shqipërisë që është jashtë Kuvendit: ju mund të luani rol. Shfrytëzojeni! Bojkoti nuk ju solli fuqi më të madhe politike. Nuk detyroi dhe nuk mund të detyrojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Prandaj, shfrytëzojeni mundësinë për të avokuar dhe negociuar në mirëbesim reformën zgjedhore që e synoni. Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme t’ju ndihmojë për këtë ndërmarrje serioze. E pastaj mund t’ia prezantoni popullit këto të arritura të njëmendta që ai të vendosë në mënyrë demokratike, përmes një procesi të drejtë zgjedhor, se në çfarë drejtimi dëshiron të shkojë vendi.

Gjithashtu duam të shohim një Bosnjë dhe Hercegovinë në paqe, stabile dhe përparimtare duke ecur përpara. Pothuajse 24 vjet pas Dejtonit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe për ta ndihmuar atë për avancimin e reformave të domosdoshme për të arritur qëllimin e saj evroatlantik, përfshirë edhe përmes ligjeve zgjedhore. Kjo nuk do të thotë braktisje të Marrëveshjes së Dejtonit. Kjo do të thotë reformim të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës ashtu që ato të punojnë për popullin. Do të thotë sigurim të integritetit të sistemit gjyqësor, sundim më të fortë të ligjit, qeverisje transparente.

Në përputhje me këtë evolucion, e nxisim Bosnjën dhe Hercegovinë për ta forcuar bashkëpunimin me NATO-n. Dorëzimi i dokumentit të Programit Reformues në NATO nuk paragjykon vendimin për anëtarësim. Anëtarësimi mund të shqyrtohet – nëse dëshirohet – më vonë dhe pas ftesës nga Aleanca për anëtarësim.

Megjithatë, në një model shumë të njohur në Bosnjë dhe Hercegovinë, luftimet ndërmjet udhëheqësve shpërqendrojnë energjinë nga përparimi i njëmendtë prej të cilit përfiton populli. Bosnja dhe Hercegovina ka nevojë për udhëheqës politik dhe partiakë të gatshëm për zgjidhje të vështira dhe kompromis për çështjet e interesit nacional. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera me prijësit e Bosnjës dhe Hercegovinës, nga të gjitha anët, në nivel shtetëror dhe të entiteteve. Ata janë provincialë, nacionalistë dhe të përqendruar para së gjithash për tu pasuruar për vete.

E megjithatë, unë shpresoj. Është një gjeneratë në rritje e prijësve politikë në nivel komunal dhe kantonal – përfshirë edhe në kantonin e Sarajevës – që duken se janë të gatshëm për bashkëpunim ndërmjet partive dhe për gjetjen e zgjidhjeve kreative për problemet me të cilat përballet populli i zakonshëm. Me qëndrimin e tyre, Bosnja dhe Hercegovina mund të ketë sukses. Jemi të gatshëm për të punuar me ta.

Përderisa rrugëtimi drejt integrimit perëndimor është plot vështirësi dhe sfida, nuk kemi nevojë të shohim më larg se te Mali i Zi për të parë se hapat e mëdhenj të ndërmarrë gjatë 13 viteve të shkuara janë shpaguar. Përkundër ndërhyrjes dashakeqe të Rusisë dhe përpjekjes së dështuar për nxitjen e grushtshtetit në vitin 2016 për përmbytjen e vullnetit të popullit të Malit të Zi, vendi hyri në NATO në qershor të 2017-s dhe vendi është bërë kontribues neto i sigurisë globale. Ushtarët e tij shërbejnë krah për krah me ushtarët tanë në Afganistan, Latvi dhe këtu në Kosovë dhe mirëpresim zotimin e Malit të Zi për të dërguar trupa në Irak deri në fund të këtij viti. Si rezultat i këtij fokusi dhe kësaj pune të mundimshme, Mali i Zi është më i fortë; NATO është më e fortë dhe aleanca translatlantike është më e fortë.

Si paraprijës për anëtarësim në BE, Mali i Zi ka ecur shumë përpara në procesin e anëtarësimit, por nuk mund t’ia lejojë vetes të ngadalësojë hapin. Duhet ti përshpejtojë përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe të lirisë së medieve dhe për tu marrë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në veçanti po ngecin përpjekjet në fushën e lirisë së medieve, sidomos për shkak të mbushjes me partiakë të Bordit të Drejtorëve të medieve shtetërore. Qeveria duhet të bëjë më shumë për të demonstruar se Mali i Zi i vlerëson dhe i mbron gazetarët, përfshirë edhe duke u përmbajtur nga përdorimi i gjuhës nxitëse që inkurajon armiqësi ndaj gazetarëve dhe shqiptimin e dënimeve domethënëse për ata që kryejnë vepra sulmi kundër gazetarëve dhe shtëpive mediale.

Mali i Zi po ashtu shërbën si paralajmërim për sfidat e hatashme që aktorët dashakeqas i vënë në rajon. Në maj, një gjykatë në Mal të Zi shpalli fajtor dy oficerë të shërbimit sekret ushtarak rus (GRU) për vepër terrorizmi në tentativë gjatë përpjekjes për grushtshtet në vitin 2016, duke njoftuar haptazi për përpjekjen e dukshme të Moskës për destabilizimin e një vendi të pavarur evropian. Gjykimi i hapur dhe transparent ishte hap i rëndësishëm përpara për sundimin e ligjit dhe shembull i rezistencës malazeze përballë sulmeve të shkallës së gjerë hibride ruse kundër një vendi, e të cilat vazhdojnë për çdo ditë.

Veprimet e Moskës në Mal të Zi janë emblamatikë të dallimeve të thella që i kemi me Rusinë rreth asaj se si e shohim të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Përderisa Moska në mënyrë aktive kundërshton integrimin perëndimor të rajonit, duke mbjellë trazira, dyshim dhe dezinformata kudo që mundet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndrim të qartë se interesat tonë të përbashkët arrihen më së miri duke forcuar normat demokratike, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin të bazuar në vlerat e përbashkëta.

E kuptojmë se disa vende të rajonit kërkojnë ta balancojnë marrëdhënien e tyre me Perëndimin dhe me Rusinë, e jo vetëm atë, por gjithnjë e më shumë edhe me Kinën. Por, nëse dëshironi të këmbëngulni në qëllimin tuaj të qartë për integrim evropian, edhe politikat tuaja duhet ta pasqyrojnë atë. Përderisa Rusia kërkon të mbjellë kaos politikisht, Kina kërkon ta blejë besnikërinë dhe bindjen tuaj. Përmes huave e investimeve, Kina po punon për tu përvjedhur në pëlhurën e infrastrukturës së rajonit, duke marrë në shënjestër industritë strategjike si telekomunikimin, energjinë, minierat, prodhimin e çelikut dhe prodhimtarinë e rëndë. Udhëheqësit ballkanikë duhet ti peshojnë ofertat kineze me sytë katër. A i forcojnë ofertat kineze rregullat tuaja apo vërtetë iu shërbejnë interesave të Kinës? A mundësojnë marrëdhënie reciproke me Kinën, ku ndërmarrjet dhe prona juaj intelektuale i marrin të njëjtat mundësi dhe mbrojtje në Kinë ashtu siç i duan ndërmarrjet kineze në Ballkanin Perëndimor?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pranishme, të angazhuara, duke konkurruar këtu në Ballkanin Perëndimor sepse Rusia, Kina dhe aktorët e tjerë me dëshirë do të kërcenin për ta mbushur vakuumin e udhëheqësisë, të vizionit, në këtë rajon të rëndësishëm. Partneriteti perëndimor duhet të qëndrojë i guximshëm, vigjilent, inovativ sepse edhe kundërshtarët e tij janë të tillë.

Në përmbyllje, e një mentor imi njëherë më ka thënë se s’ka fjalë më të bukur në gjuhën angleze se sa fjala “në përmbyllje”, më lejoni të ripohoj se vizioni i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor është duke lulëzuar, është i mbarë, i bazuar në sundim të ligjit, me institucione të forta demokratike, që i përgjigjen dhe në përkrahje të nevojave të njëmendta të popullit të tij. Kjo gjithashtu nënkupton integrim të plotë në institucionet perëndimore. Kjo kërkon guxim dhe bindje politike. Në Kosovë, kjo do të thotë vendosje të kushteve të përshtatshme për arritjen e marrëveshjes me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve për të çliruar potencialin e tërë qytetarëve të saj, veçanërisht të të rinjve të talentuar dhe sipërmarrës që duan që Kosova të jetë e ardhmja e tyre. Shpresoj se Kosova është partnere jona e gatshme për ta arritur këtë. Jemi të gatshëm për të ndihmuar sepse këto janë edhe interesat tonë. Një Ballkan Perëndimor më i fuqishëm do të thotë Evropë më e fuqishme dhe partneritet më i fuqishëm transatlantik. Le të punojmë për ta arritur këtë së bashku.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj sot.