Në Komunën e Prishtinës, nga 145 deponi ilegale që kanë qenë në vitin e kaluar, sot janë vetëm 20.
Kështu u bë e ditur nga një postim i kryetarit të kësaj komune, Shpend Ahmeti, i cili tha se shumë prej këtyre deponive rikrijohen, që nënkupton se të njëjtat janë larguar disa herë.
“Eliminimi i 125 deponive ka rezultuar nga vlerësimi i rregullt vjetor që realizohet nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, në bashkëpunim me GIZ. Shumë prej këtyre deponive rikrijohen, që nënkupton se të njëjtat janë larguar disa herë”, thuhet në postimin e kryetarit të Prishtinës.
Ai falënderoi ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe gjithë bashkëpunëtorë tjerë për punën e shkëlqyer që kanë bërë përgjatë 1 viti në pastrimin e Prishtinës.
“Gjithashtu, falënderojmë çdo qytetar që kontribuon në këtë qëllim”, ka shkruar Ahmeti./Gazeta Sinjal/