Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që nesër të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar sonte numërimi i fletëvotimeve nga mërgata, pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Në QNR janë numëruar 1.806 pako me fletëvotime nga diaspora, vota këto që fillimisht nuk ishin proceduar për votim në QNR.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se vlerësimi i pakove të supozuara të fletëvotime nga mërgata është bërë me qëllim të zbatimit të vendimit të Gjykatës Supreme.
“Janë 1806 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat janë vlerësuar dhe nga kjo me fund kemi pasur 1449 pako me fletëvotime të individualizuara, pas procesit të vlerësimit janë aprovuar 2039 pako me fletëvotime të individualizuara, ndërkaq janë refuzuar 410. Procesi i numërimit në QNR i nënshtrohet kjo pjesa e pakove të aprovuara pra që janë 2039”, tha ai.
“Sa i përket rezultateve përfundimtare, gjatë ditës së nesërme KQZ do të kërkojë konfirmimin nga dy institucione, në këtë rast nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme, mese nuk kanë ndonjë çështje për të vendosur në këtë institucion në mënyrë që të procesojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare. Besojmë që gjatë ditës së nesërme do të kemi komunikime dhe do të kemi sigurisht më të qartë situatën”, tha ai.
Kujtojmë qe sot, pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje, Gjykata Supreme mori vendim për numërimin e këtyre 1806 pakove me fletëvotime nga mërgata. Ditë më parë, KQZ-ja nuk kishte proceduar për votim në QNR këto pako me fletëvotime, teksa Lëvizja Vetëvendosje fillimisht ishte ankuar në PZAP, e cila ankesën e kishte vlerësuar si të pabazuar. Për këtë arsye, kjo parti dje ka dorëzuar ankesën tjetër në Gjykatën Supreme. /Gazeta Sinjali/