Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë kërkesë që nesër në shkolla ora e parë e mësimit t’i kushtohet Ukrainës.
Sipas SBASHK-ut kjo kërkesë e tyre është bërë me qëllim të solidaritetit me Ukrainën.
“Të nderuar mësimdhënës, duke shprehur brengën e agresionit rus në Ukrainë e duke u solidarizuar me sindikatat e arsimit të Ukrainës dhe popullin ukrainas sikurse edhe EI, ETUCE e shumë sindikata tjera, apelojmë te ju që dita e nesërme 2 mars 2022 (e mërkurë), ora e parë mësimore në të gjitha ndërrimet t’i kushtohet Ukrainës me aktivitete me nxënës në shenjë solidariteti me ta e njëkohësisht edhe dënimin e agresionit rus në Ukrainë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, SBASHK thotë se “aktivitetet mund të zhvillohen duke paraqitur me projektor flamurin ukrainas dhe të Kosovës, pastaj punime/vizatime të ndryshme nga nxënësit me simbol të shtetit të Ukrainës dhe të shtetit tonë Kosovës”.