Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim që ditën e nesërme ta shpall ditë zie në Kosovë, si shenjë nderimi ndaj viktimave që humbën jetën nga tërmetet në Republikën e Shqipërisë.
“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Thaçit.
Flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Deri më tani mediat e Shqipërisë raportojnë se numri i viktimave nga tërmetet e mëparshme ka shkuar në 17, ndërsa raportohet se 28 persona janë shpëtuar deri më tani.
Për tërmetet tragjike që e goditën Shqipërinë, shumë shtete kanë nisur ekipet e tyre për ndihmë, në mesin e tyre edhe Kosova. Përveç tri ekipeve të FSK-së, në Shqipëri kanë shkuar edhe Policia e Kosovës. /Gazeta Sinjali/