Nesër do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të shqyrtojë disa çështje përfshirë edhe përcaktimin e datës së raundit të katërt për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë.
Në tre raundet e para që tani konsiderohen të djegura, presidenti zgjidhet me 84 vota. Në dy raundet e fundit, do të mjaftojë një shumicë e thjesht prej 71 vota për zgjedhjen e tij.
Kujtojmë që pas ndryshimeve Kushtetuese të bëra në vitin 2008-të në tre raundet e para, Presidenti i Republikës zgjidhet me jo më pak se 84 vota, duke kërkuar në këtë mënyrë shumicë të cilësuar.
Qëllimi ishte që forcat politike në Kuvend në tre raundet e para të gjenin një president konsensual, por edhe këtë herë një gjë e tillë nuk ndodhi.
Ndërkohë që për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik në Kushtetutë është parashikuar që në raundin e katërt dhe të pestë Presidenti i Republikës të mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, pra 71 votat që duhen për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit në raundin e katërt mazhoranca i ka.
Por, a do të kemi një President në raundin e katërt?
Pavarësisht deklaratave publike të bëra nga ana e kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, se mazhoranca do t’i jepte dhe një mundësi opozitës që të bëhej pjesë e procesit për zgjedhjen e presidentin edhe në raundin e katërt në mënyrë që të kishim një emër konsensual, edhe kjo ofertë u hodh poshtë nga vetë përfaqësuesit opozitarë.
Gjasat janë që në raundin e katërt të kemi një emër të propozuar nga mazhoranca dhe që pritet të kalojë me 71 vota.
Duke iu referuar deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama por edhe nga përfaqësues të tjerë të mazhorancës, në raundin e katërt do të ketë një emër që do të votohet në Kuvend.
Tashmë pritet vetëm formalizmi i raundit të tretë, të cilin siç thamë më lart është i destinuar të dështojë dhe më pas mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të vendosur afatet e propozimit të një emri për kandidatin e ri, si dhe datën se kur do të mblidhet sërish Kuvendi për të zhvilluar raundin e katërt, raporton abcnews.al.
Vlen të përmendet se në 24 korrik të këtij viti Presidenti Ilir Meta dorëzon postin e kreut të shtetit në duart e Presidentit të ri, i cili pritet të zgjidhet në muajin qershor.