Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu nga radhët e PDK-së ka kërkuar nga VV-ja në Prishtinë që të tregojë se kush e ka kërcënuar asamblisten Berna Saraçi.
Saraçi sot ka kaluar nga VV-ja në PDK si asambliste në Komunën e Prishtinë, dhe pas kësaj VV-ja ka uruar që vendimi i Saraçit të jetë marrë “me vullnet të lirë e jo ndrydhje e devijim i këtij vullneti siç na është paraqitur nga vetë ajo.”
Dega e VV-së në Prishtinë ka pretenduar se Saraçi mund të jetë detyruar për të kaluar në PDK.
E këto pretendime i ka mohuar nënkryetarja Sahatçiu përmes një postimi në Facebook, duke thënë se janë përpjekje shpifëse dhe linçuese, për të dekurajuar mendimet ndryshe dhe veprimet e guximshme mbi këto mendime.
Postimi i plotë:
Kush nga PDK paska kërcënuar Bernën, o hej?
Ftoj ish-kolegët e Bernës nga LVV në Prishtinë që të bëjnë publike sa më shpejtë informatën se kush nga PDK e paska kërcënuar atë, apo këdo tjetër, ndonjëherë gjatë këtij mandati.
Hajde ma gjallë! Emrat, ju lutem. Emrat.
Refuzoj të pranoj që mundemi me hedh hije publikisht mbi këdo me pretendime pa asnjë dëshmi. Sikurse, refuzoj të pranoj të hesht kur njërën nga ne, një grua të re, super çikë të Prishtinës, përpjeken t’a viktimizojnë se gjasmë e vetmja arsye pse ajo mund të guxojë të vendosë ndryshe është mesiguri për shkak se nuk ka mundur të përballojë kërcënimet e shantazhet. E dhimbshme, përveç se seksiste.
Përpjekjet shpifëse dhe linçuese nga kushdo, për të dekurajuar mendimet ndryshe dhe veprimet e guximshme mbi këto mendime, sikurse kjo e Bernës sot e të tjerëve diku nesër, nuk do të na ndalin asnjëherë.