Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, duke e zëvendësuar atë me reciprocitet të plotë.
Nitaj ka shkruar se reciprociteti që Kurti po e përmend është “me t’qit hi syve”, shkruan Gazeta Sinjali.
“Heqja e takses, pa njohje, është dorëzim përpara Serbisë! Reciprociteti është me t’qit hi syve! Eksporti i Kosovës në Serbi është qesharak krahasuar me miliardat e mallrave serbe që do të hyjnë në Kosovë”, ka shkruar Nitaj.
Në takimin e Kurtit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolovën, është folur edhe për taksën e vendosur ndaj Serbisë.
Ai thotë se taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet.
“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën në të njëjtën fjali asnjëherë edhe për shkaqe historike edhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtare si zëvendësim për tarifën 100%”, ka deklaruar Kurti. /Gazeta Sinjali/